Gjilani largon një skuadër, 10 futbollistë!

Pasi ka arritur të sigurojë qëndrimin në Ipko-Superligën e Kosovës, nëpërmjet ndeshjes në “play-out”, skuadra e Gjilanit, që drejtohet vlonjati Gentian Mezani, ish-trajner me Flamurtarin, Laçin dhe Luftëtarin në Shqipëri, është shndërruar në një kantier ndërtimi.

Drejtuesit e klubit të Gjilanit kanë vendosur ta riformatojnë skuadrën e tyre, detyrë që duhet ta realizojë Mezani me stafin e tij. Si hap të parë, ata kanë vendosur të largojnë jo pak, por një skuadër të tërë, saktësisht plot 10 futbollistë, të cilët nuk do të jenë në radhët e Gjilanit në sezonin e ardhshëm, çka e kanë bërë publike nëpërmjet një postimi në faqen e tyre zyrtare në “facebook”.

Mes tyre janë edhe futbollistë të njohur që janë aktivizuar në skuadrat e Superiores shqiptare, si Ansi Nika, Vilfor Hysa apo edhe Endrien Magani, të cilët kanë qenë pjesë e skuadrës gjilanase në Ipko-Superligën e Kosovës.

“Pas përfundimit të edicionit, skuadra e Gjilanit ka vendosur ta ndërpres bashkëpunimin me futbollistët të cilët bartën fanellën e klubit tonë prej edicioneve të më hershme dhe ai i kaluar.

Bëhet fjalë për Fisnik Papuqin i cili mbrojti ngjyrat e klubit tonë prej dy sezoneve, të cilin e falënderojmë për kontributin dhe korrektësinë e treguar gjatë kësaj periudhe kohore, të cilën sa ishte pjesë e klubit tonë.

Sport Klub Gjilani, ju informon se ka mbyllur marrëveshjet edhe me futbollistët të cilët ishin transferuar vitin e kaluar në ekipin tonë.Jefferson Lopes, Uilber Perez, Ansi Nika, Endrien Magani, Vilson Lila, Kledi Koçi, Vilfor Hysa, Shpend Asani dhe Semir Hadzibuliç, janë futbollistët të cilët nuk do të vazhdojnë paraqitjet e tyre në klubin e Gjilanit. Klubi i falënderon futbollistët e lartë cekur për kontributin e tyre gjatë këtij udhëtimi të edicionit që e lamë pas dhe ju uron sukses në vazhdimin e karrierës së tyre.

Gjithashtu bordi drejtues i skuadrës është në bisedime me pjesën tjetër të futbollistëve nga edicionet e kaluara, për vazhdimin e bashkëpunimit edhe për të ardhmen.

Vlen të theksohet se drejtuesit e klubit po vazhdojnë negociatat edhe me futbollistë të rinj, ku po punohet për afrime të reja në skuadrën e Gjilanit dhe shumë shpejt pritet të ndodhin edhe zyrtarizime të tjera në kampin kuq e bard”, – shkruhet në njoftimin e klubit të Gjilanit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!