Paris SG, bamirësi për Notre-Dame…
● Një mijë fanela simbolike do të shiten për 100 euro copa. Të gjitha të ardhurat do të shkojnë për zjarrfikësit…
Mbrëmja e djeshme ishte dyfish speciale për Paris SG: ishte mbrëmja e titullit, por edhe për të bërë bamirësi për zjarrfikësit, që punuan me vetmohim për të shuar flakët e katedrales së famshme Notre-Dame të Parisit.
Në ndeshjen e javës së 33-të ndaj Monakos, skuadra pariziene mbante të veshur një fanelë të veçantë: përpara simbolin e stilizuar të katedrales së Parisit, që u dogj një javë më pare, ndërsa mbrapa mbishkrimin “Notre-Dame” në vend të emrit të lojtarëve.
Një mijë fanela të tilla simbolike do të shiten për 100 euro copa dhe të gjitha të ardhurat do të dhurohen për zjarrfikësit, të cilët punuan me orë të tëra me guxim dhe vetmohim të pashoq për të shuan zjarrin në katedralen “Notre-Dame”, një pasuri me vlera historike përtej Francës.
Ndërkohë, ndeshja ndaj Monalkos nuk pati histori. Që para se të dilte në fushë, Paris SG e kishte siguruar titullin kampion edhe matematikisht. “Raketa” Mbape, me tri golat e tij do të ishte heroi i kësaj mbrëmjeve të veçantë, që përfundim do të fiksonte rezultatin 3-1 për PSG-në.