Sadiku, të shara me “libër shtëpie”…
Sulmuesi i kombëtares Armando Sadiku, që luan me Luganon në kampionatin zviceran, shënoi një supergol në transfertën që skuadra e tij zhvilloi ndaj Bazelit të mesfushorit kuqezi Taulant Xhaka.
Takimi u mbyll në barazim 1-1 dhe për fat të keq, goli i Sadikut nuk pati vlerën e 3 pikëve. Por gjithsesi, në momentin e supergolit, sulmuesi i kombëtares shqiptare nuk festoi, por kamerat e fiksuan të inatosur dhe duke sharë, nga mimika dukej që të sharat ishn në gjuhën shqipe.
Ky reagim nuk kishte se si t’i shpëtonte edhe medias vendase. Qëndrimin e tij, sulmuesi Armando Sadiku do ta shpjegonte pas ndeshjes në mikrofonin e televizionit zviceran:
“Unë jam i tillë, isha i zemëruar me të gjithë, pa përjashtim. Shava në shqip, sepse jam me nerva me të gjithë, edhe me gazetarët, edhe me veten time.
“Unë jam profesionist, po punoj shumë për t’u kthyer në maksimum pas dëmtimit tim. Pranoj zgjedhjet e trajnerit, bëj maksimumin kur luaj. Jam i kënaqur, por jo dhe aq për objektivin që kam, për të arritur sa më lart në karrierë”.
Ndërkohë, trajneri i Luganos Fabio Celestini, në përgjigje të fjalëve të Sadikut në televizionin zviceran, reagoi menjëherë pak me humor, por edhe me finesë për zgjedhjet e tija:
“Nëse e ka inatin me mua dhe shënon, aq më mirë! Shpresoj të tërbohet çdo të diel, atëherë. Kam një marrëdhënie të shkëlqyer me Armandon, pastaj bëj disa zgjedhje. Ndonjëherë luan ai, ndonjëherë të tjerët, kështu funksionon për të gjithë. Megjithatë, i kërkoj të bëjë gjithnjë atë që bëri sot dhe për këtë jam i kënaqur“, – deklaroi ai.