Shqipëria sot…

Prag Shqipëri – Poloni…nga: Sara Gjidiaj

Një tjetër sfidë, një tjetër përballje dhe një tjetër finale për Shqipërinë. E gjitha për t’u luajtur në “Air Albania” përballë Polonisë prej orës 20:45.

Dueli i parë ndaj polakëve të Levandovskit më 27 mars u mbyll me një humbje minimale. Kuqezinjtë që në atë kohë drejtoheshin nga Edi Reja e ndërsa sot në stol është një brazilian si Silvinjo që deri më tani ka bërë mjaft mirë.

Sakaq, Shqipëria dhe Polonia numërojnë 14 përballje të mëparshme, vetëm një prej të cilave është fituar nga kuqezinjtë. Statistikat nuk janë në anën e “Shqiponjave” por momenti i mirë që po kalojnë djemtë e Silvinjos mund të shfrytëzohet për të thyer tersin ndaj polakëve.

Sa i përket atmosferës në “Air Albania”, ajo pritet të jetë elektrizuese me hyrjen e tifozëve që do të nisë në 17:00. Interesi për këtë sfidë ka qenë mëse i kënaqshëm (23 000 e diçka më shumë bileta të shitura) ku për të parë nga afër këtë duel të zjarrtë kanë udhëtuar edhe grupe tifozerish nga Kosova apo Maqedonia e Veriut.

Formacioni? Grupi është plotësisht i gatshëm për Silvinjon dhe priten shumë pak ndryshime nga ai i fundit përballë Çekisë. Dilemat e brazilianit janë te dyshet Mitaj-Balliu dhe Seferi-Uzuni dhe gjithçka pritet të mësohet pak para startit të sfidës.
Në ndryshim nga përballja e shkuar në dispozicion do të jetë dhe Roshi.

Të gjithë sy e veshë nga “Air Albania” për të zbuluar nëse Shqipëria do t’i afrohet akoma më shumë ëndrrës “Europian” për herë të dytë në histori. Momentalisht, në Grupin E udhëheq Republika Çeke me 8 pikë, ndjek Shqipëria me 7 e në vend të tretë është Polonia me 6 të tilla. Moldavia dhe Ishujt Faroe mbyllin me nga 5 dhe 1 pikë. Gjithçka mund të ndryshojë në mbrëmje…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!