Shqipëria e madhe fundos Poloninë, vendi i parë në Grupin E
EURO 2024, kuakifikuese:
Shqipëri – Poloni 2-0 (Asani 37′, Daku 63′)
Super emocione, super ndeshje, super gola dhe një super Shqipëri. Kuqezinjtë mposhtin Poloninë në “Air Albania” me rezultatin 2-0 dhe shohin më pranë ëndrrën Gjermani 2024.
Nga një gol i pësuar dhe i anuluar te një super gol i shënuar. Ishte kjo panorama e pjesës së parë që nuk nisi në mënyrën më të mirë për kuqezinjtë. Polakët arritën të gjenin golin pas një rrëmuje në zonë por VAR dalloi pozicionin jashtë loje duke prishur festën e miqve.
Duhej të trokiste minuta e 37′-të që Asani të shpërthente me magjinë e tij duke dhuruar emocione të forta me një eurogol. E majta e tij, saktësia dhe precizioni nuk mund të kombinoheshin më mirë se kaq për të surprizuar polakët, Sheznin dhe gjithë sytë e përqendruar në këtë përballje.
E nuk kanë fund emocionet pasi të tjera janë rezervuar për fraksionin e dytë. Një lëvizje e Silvinjos, në fushë Daku dhe fare pak minuta për një tjetër super aksion e për një tjetër super levizje të 25-vjeçarit që shpërblen më së miri besimin e brazilianit duke dyfishuar shifrat.
Një Poloni e dorëzuar në minutat në vazhdim e një Shqipëri e karikuar që bën saktësisht atë që duhet për ruajtur këtë rezultat “ëndrrash” i cili i jep 3 pikë kuqezinjve.
Pas ndeshjeve të shtatorit është Shqipëria që udhëheq Grupin E me 10 pikë, ndjek Çekia me 8 të tilla po aq sa dhe Moldavia e vendit të tretë. Polonia është e katërta me 6 pikë ndërsa Ishujt Faroe mbyllin me vetëm një. Gara rikthehet në tetor me një tjetër finale e një tjetër synim për fitore ndaj Republikës Çeke./Sara Gjidiaj/