Vllaznia luan klasiken në shtëpi, derbi rajonal në… “Niko Dovana”
Klasikja Vllaznia- Tirana dhe derbi rajonal Teuta- Erzeni janë dy duelet e sotme të javës së 26-të Abissnet Superiore. E nisur dje me tre takime Laçi- Skënderbeu 0-1, Egnatia -Dinamo Siti 1-1 dhe Partizani- Kukësi 3-0, java e parafundit e fazës së tretë, mbyllet sot me ndeshjet e programuara për të nisur në orën 17:00.
Në “Loro Boriçi” tifozët janë gati për të mbushur impiantin.Jo vetëm rivali historik Tirana por dhe ecuria fantastike e kuqebluve mundësojnë afrimin e tyre për të shijuar një tjetër performancë të nivelit të lartë sportiv. Në fakt, te Vllaznia mungesë e sigurtë duket ajo e portierit Qarri (dëmtim) por në dyshim edhe mbrojtësi anësor Smajli.
Te Tirana e Fagut, rezultati pozitiv mbetet detyrë. Skuadra ka zbritur në vend të 6-të duke rrezikuar jo pak zonën ‘Final Four’. Do të kthehen Deliu dhe Përgjoni që munguan në barazimin e kaluar me Laçin 1-1. Megjithatë mungesa e Najdovskit por dhe e mesfushorit Meta janë shqetësim për stafin teknik.
Në “Niko Dovana” të Durrësit sfida e madhe Teuta- Erzeni. Ky takim mes fqinjësh, rivalë për t’i ikur fundit, të tre rezultatet janë prezent. Megjithatë ‘Djemtë e Detit’ shihën më të favorizuar pasi për Martinin ka disa rikthime. Kapiteni Kotobelli, Qaqi dhe veterani Asjon Daja, pritet të jenë forcë e shtuar e grupit aktual.
Edhe te shijakasit ka rikthime. Mbrojtësi Sadiki, mesfushori anësor me tipare sulmuese Mihana por dhe Migone janë në listen e teknikut Skerdi Bejzade.
Java e 26-të:
Sot, ora 17:00
Vllaznia- Tirana
Teuta- Erzeni
Luajtur të premten:
Laçi- Skënderbeu 0-1
Egnatia -Dinamo Siti 1-1
Partizani- Kukësi 3-0 /Sportiim.al/