Mund Tiranën dhe kthen tifozët, Vllaznia kërcënon kreun
Abissnet Superiore, Java 26:
Vllaznia – Tirana 3-1 (Juriç 22′, Balaj 45’+1′, 80′ pen/ Nikqi 78′)
Nga Sara Gjidiaj
Java e 26-të Abissnet Superiore rezervoi klasiken e shumëpritur të futbollit shqiptar, Vllaznia – Tirana. Mes entuziasmit në “Loro Boriçi” teksa në shkallë pati numër rekord tifozësh, vendasit treguan forcën përballë një Tirane të çarmatosur duke fituar bindshëm në shifrat 3-1.
Kuqeblutë mbyllën llogaritë që në pjesën e parë ndërsa Juriç dhe i zaknëshmi Bekim Balaj shënuan dhe festuan bashkë me tifozerinë e pranishme në shkallët e stadiumit. Me dy gola epërsi dhe moral të lartë kuqeblutë i drejtohen dhomave të xhveshjes…
Energji të reja te kryeqytetasit me nisjen e pjesës së dytë ndërsa rrisin sulmet te porta vendase. Vllaznia pozicionohet “spektatore” dhe përpiqet të shfrytëzojë kundërsulmet. Miqtë do ta gjejnë golin shumë vonë me Nikqin në të 78′-tën që shënon pas një aksioni të organizuar bukur.
Ndeshja rihapet, por për shumë pak, pasi vetëm 2 minuta më vonë Hoxhallari shkakton një penallti të cilën Balaj nuk mund ta gabonte duke treguar dhe një herë se Vllaznia është e vendosur për këtë fitore.
Kështu, shkodranët rimarrin vendin e dytë dhe dërgojnë në vetëm 4 pikë diferencën me Egnatian kryesuese, teksa Tirana duket se ka humbur rrugën dhe vijon rënien e lirë.