Trazirat/ Ajaks-Fejnord rinis të mërkurën
35 minutat e mbetura të ‘Klassieker’ mes Ajaksit dhe Fejnordit do të luhen të mërkurën e ardhshme me dyer të mbyllura, e cila u ndërpre të dielën në minutën e 55-të për shkak të dhunës së tifozëve të skuadrës së Amsterdamit teksa hodhën tymuese dhe më pas pushtuan fushën e stadiumit kur ekipi i tyre po humbiste 0-3 në shtëpi nga rivalët e tyre të përjetshëm
Arbitri Serdar Gozubujuk nuk kishte zgjidhje tjetër veçse t’i dërgonte të dyja skuadrat në dhomat e zhveshjes dhe të pezullonte ndeshjen, ndërsa qindra tifozë shkatërruan hyrjen e stadiumit dhe sulmuan policinë prezente, e cila përdori gaz lotsjellës për t’i shpërndarë.
Dëme të shumta ka pasur në makina dhe dyqane në rrugët ngjitur me impiantin. Tifozët e Ajaksit janë të zemëruar me situatën e skuadrës dhe klubit, i cili aktualisht po kalon një nga krizat më të rënda sportive të 123 viteve të ekzistencës së tij.
Me vetëm pesë pikë nga katër ndeshje, klubi, 36 herë kampion në Eredivisie, regjistroi fillimin e tij më të keq që nga sezoni 1964/1965. Klubi shkarkoi drejtorin sportiv, Sven Mislintat, me bazë merkaton e dobët gjatë verës.