‘Uniforma Ime’ rrit numrin e fëmijëve të regjistruar në futboll
Federata Shqiptare e Futbollit dhe shoqatat rajonale të futbollit kanë gjithçka gati për të lançuar edicionin e dytë të projektit madhor “Uniforma Ime”, që parashikon ofrimin e një seti me bazë materiale falas për çdo fëmije që luan futboll me ekipe në gjithë Shqipërinë.
Një iniciativë shumë e rëndësishme për zhvillimin e futbollit në vendin tonë, që do të garantojë për të gjithë fëmijët që luajnë futboll me ekipe nga mosha U-7 e deri në moshën U-19 uniforma loje e stërvitjeje pa asnjë pagesë.
Këtë vit projekti vjen me disa risi të rëndësishme, duke nisur nga numri i fëmijëve të regjistruar, që është rritur ndjeshëm pikërisht falë impaktit që ka pasur kjo nismë në edicionin e parë. Në këtë sezon të ri është parashikuar furnizimi me materialet sportive i mbi 20 mijë fëmijëve. Synimi kryesor i “Uniforma Ime” ishte pikërisht afrimi i më shumë fëmijëve me futbollin dhe duket se FSHF ia ka dalë mbanë, duke parë shifrat.
Ndryshe nga sezoni i kaluar, këtë vit i gjithë procesi është menaxhuar nga shoqatat rajonale të futbollit, që kanë bërë të gjitha analizat dhe përllogaritjet përkatëse, dhe kanë nënshkruar kontratat përkatëse me kompanitë prodhuese, duke u munduar të ruajnë cilësinë maksimale të materialeve, dhe sigurisht duke pasur parasysh dhe anën financiare, duke qenë ende në proces fuqizimi si organizata sportive.
Puna ka nisur prej kohësh me procesin që është në vijim, teksa kanë ardhur aktualisht në Shqiperi një pjese e materialeve të porositura me pjesën tjetër që pritet të mbërrijë së shpejti. Sapo kompania prodhuese të dorëzojë të gjitha materialet e porositura, do të bëhet një inspektim i plote dhe më tej do të nisë shpërndarja sipas listave të federimeve të secilit klub apo akademi.
Sigurisht, procesi ka ndjekur të gjitha hapat normale, duke përfshirë dhe inspektimin në përfundim të prodhimit nga një kompani e mirënjohur ndërkombëtare e specializuar në këtë fushë.
Procesi i edicionit të dytë të “Uniforma Ime” do të ndahet në 2 faza. Fillimisht do të furnizohen me materiale klubet dhe akademitë, që marrin pjesë ne kampionatet e “Abissnet Superiore” të moshave, dhe të Kategorisë së Parë, dhe më tej në një fazë të dytë me klubet dhe akademitë që marrin pjesë në garat rajonale të organizuara nga çdo shoqatë.
Në krahasim me vitin e kaluar, seti i veshjeve për çdo fëmijë do të pësojë ndryshime të vogla, në bazë të analizës së bërë nga secila prej shoqatave për konsumin, përdorimin dhe gjendjen e materialeve të marra nga fëmijët vitin e shkuar. Sigurisht, duke shtuar ato elementë që janë më të nevojshëm e që përdoren më shumë dhe që konsumohen më shpejt.
Shoqatat rajonale të futbollit janë në kontakt të vazhdueshëm me klubet dhe akademitë, duke i mbështetur në lidhje me dokumentacionin e nevojshëm dhe duke koordinuar afatet përkatëse të shpërndarjes.
Kjo nismë e ndërmarrë këtë vit nga shoqatat rajonale, me mbështetjen e FSHF-së, do të jetë një ndihmë e shtuar për familjet, dhe pritet të sjellë një rritje të numrit të fëmijëve, të cilët merren me futboll./FSHF/