Erzeni apo Korabi, sot në Durrës përcaktohet e 10-ta
Play-Out: Erzeni- Korabi , finale ora 17:00
Ka një finale shqiptare. Sot në orën 17:00, në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, luhet akti i fundit sezonal i Superiores. Për të përcaktuar skuadrën e fundit e cila do të garojë me formatin me 10 skuadra për sezonin futbollistik 2023/2024. Në fushë Erzeni i Shijakut dhe Korabi i Peshkopisë.
Nëse Erzeni i renditur i teti kërkon të mbajë fronin në Abissnet Superiore, Korabi pasi ka kaluar dy skuadrat e Kategorisë së Parë, Tomorin dhe Flamurtarin (Play Off), kërkon rikthimin në elitë (mungon nga 2017) pikërisht duke sfiduar shijakasit në një takim të vetëm për t’u zhvilluar (sipas rregullores në fushën e skuadrës së Abissnet Superiore).
Ndërkaq nga të dy kampet ka patur përgatitje speciale shoqëruar me grumbullim në kazermë ndërsa nuk raportohen mungesa të rëndësishme.
Verdikti mund të dalë nga koha e rregullt, shtesa dy herë nga 15 minuta apo 11 metërshat. E sigurtë që këtë pasdite do të mësohet skuadra e fundit e Superiores për sezonin e ri.