Kukësi thyen Laçin, Vllaznia e katërta, zgjohen Bylis e Kastrioti

Abissnet Superiore, Java 33:
Kukësi – Laçi 3-0 (Ndreca 58′, Barbosa 87′, 90’+4′)
Vllaznia – Teuta 1-0 (Çoba 8′)
Kastrioti – Egnatia 1-0 (Greca 80′)
Erzeni – Bylis 1-2 (Alan 80’/ Kaçorri 59′, 85′)

Ka startuar java e 33-të Abissnet Superiore me katër sfida të zhvilluara paralelisht që nuk prodhuan asnjë barazim. Ndeshje mbijetese dhe europe mjaft të luftuara nga ekipet në fushë, por edhe përballje frike.

Çoba ishte heroi i shkodranëve në duelin ndaj Teutës. Goli i tij në minutat e para të sfidës mori vlerën e 3 pikëve në këtë ndeshje që përfundoi 1-0 në favor të Vllaznisë. Pavarësisht se durrsakët provuan t’i afroheshin golit, rrjeta e Zogoviç mbeti e paprekur deri në vërshëllimën e fundit.

Fitore jetike edhe për Kukësin që ia del për të katërtën herë në këtë sezon të mposhtë Laçin. Kësaj radhe ishte një eurogol i Ndrecës që ndëshkoi ish-skuadrën e tij nga goditja e dënimit dhe dy vulat e Barbosës në fund. Bardhezinjtë kishin shënuar të parët me Bajramajn por VAR spikati një pozicion të parregullt duke prishur festën e miqve.

Sakaq, Bylis vuan por në fund triumfon përballë Erzenit falë Kaçorrit, plotësisht protagonist në këtë sfidë. Ballshiotët realizuan të parët, teksa Alan riktheu baraspeshën nga goditja e dënimit me një gol mjaft të bukur. Vetëm pak minuta gëzim për shijakasit pasi dhe një herë Kaçorri do të ndalë topin në rrjetën e Xhikës për të vulosur përfundimisht fitoren e të tijve.

Surprizon Kastrioti përballë Egantias duke marrë një 3-pikësh që e mban skuadrën krutane ende në lojë për mbijetesën. Një karton i kuq drejtuar Malotës në pjesën e parë dhe goli vendimtar i Grecës në të dytën ishin episodet që shënjuan këtë ndeshje. Kastrioti ndal kështu një nga skuadrat më në formë të momentit dhe bën akoma më interesante garën në fund të tabelës.

Pas katër ndeshjeve që kanë përfunduar tashmë, Vllaznia ka parakaluar Laçin në renditje me skuadrat që i ndajnë vetëm dy pikë. Kastrioti shkon në kuotën e 35 pikëve por mbetet i fundit pas fitores së Bylisit. Në 18:30 përballja e kreut, derbi Tirana – Partizani.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!