Erzeni kapet në fund, Kukësi pikë e vyer
Abissnet Superiore, Java 26:
Erzeni – Kukësi 1-1 (Ademi 25’/ Barbosa 90’+2′ )
Përgatiti: Sara Gjidiaj
Vijojnë surprizat dhe emocionet e këtij edicioni të Abissnet Superiore. Erzeni – Kukësi në “Niko Dovana” prodhoi spektakël dhe në fund vetëm një barazim.
Skuadrat krijojnë shumë që në minutat e para, por golin e gjetën shijakasit kur luhej e 25′-ta. Ilirid Ademi ishte ai që shënoi për vendasit golin e epërsisë që zgjoi festën te vendasit.
Ndizet akoma më shumë përballja pas avantazhit të Erzenit, me verilindorët që kërkojnë të reagojnë por e kanë të vështirë të finalizojnë.
Miqtë fitojnë dhe një 11-metërsh të konfirmuar nga VAR pas shumë minutash pritje,por e gjithë pritja shkon dëm pasi shtylla ndal Gjelbrim Taipin nga shënimi i golit të baraspeshës.
Vetëm shtesa i ndihmon verilindorët dhe Barbosën që nuk lejon ekipin e tij të dalë pa pikë nga transferta shijakase duke mposhtur portierin Xhika në frymën e fundit.
Mbyllet kështu kjo sfidë, si një “deja-vu” e përballjes Bylis – Tirana. Erzeni ruan vendin e tretë me 37 pikë, teksa as Kukësi nuk ndryshon pozicion. Vendi i gjashtë me 35 pikë shkon për verilindorët.