Kukësi di të ngrihet, dramë për një pikë në Kamëz
Abissnet Superiore, Java 25:
Kastrioti – Teuta 0-0
Kukësi – Bylis 2-0 (Rashiti 66′, Gj. Taipi 79′)
Kastrioti – Teuta dhe Kukësi – Bylis ngritën siparin e javës së 25-të Abissnet Superiore
Verilindorët marrin fitoren e tretë radhazi dhe vijojnë ngjitjen në klasifikim, ndërsa Kastrioti dhe Teuta ndajnë pikët.
Kukësi kaloi pastër ballshiotët me gjithçka të vendosur në pjesën e dytë. Fillimisht Rashiti e më pas Gjelbrim Taipi gjetën rrjetën e Teqjas pas një sërë rastesh që verilindorët krijuan.
Bylis nuk u duk shumë në këtë përballje nga e cila del pa pikë dhe mbetet në vendin e parafundit, ndërsa kuksjanët ngjiten të pestët me 34 pikë.
Mjaft interesante edhe sfida në Kamëz ku Kastrioti dhe Teuta u pajtuan me barazimin. Durrsakët, edhe pse në avantazh numerik pas daljes me të kuq të Karakaçit në minutat e fundit të pjesës së parë, nuk mundën të tregonin cinizmin e duhur për të fituar këtë përballje.
Krutanët nga ana tjetër patën rastet e tyre, por goli u mungoi. Në minutat e fundit të takimit, VAR anuloi dhe një 11-metërsh në favor të Kastriotit të akorduar nga Kreshnik Cjapi dhe sfida u mbyll me rrjeta të paprekura.
Nuk ndryshojnë pozicione as Kastrioti dhe as Teuta. Krutanët mbeten të fundit akoma dhe më shumë të rrezikuar, ndërsa durrsakët barazojnë me pikë Erzenin dhe renditen të shtatët./S. Gjidiaj/