Erzeni mund Egnatian përmes spektaklit
- Një ndër ndeshjet më të bukura të luajtura këtë sezon në “Niko Dovana” përfundon me suksesin e skuadrës shijakase ndaj Egnatias.
Abissnet Superiore, Java 25:
Erzeni – Egnatia 2-1 (Kahrimanoviç 33′ pen, Nonato 37’/ Duamena 48′)
Erzeni – Egnatia ishte takimi tjetër i javës së 25-të Abissnet Superiore që prodhoi jo pak emocione ditën e sotme. Përballja e luftuar me gola të anuluar dhe spektakël në fushën e lojës, përfundoi me fitoren e shijakasve në shifrat 2-1.
Gjithçka u hap me golin e Kahrimanoviç në minutën e 33′-të. Kroati nuk gaboi nga 11 metra distancë edhe pse Sherri arriti të kuptonte krahun.
Pas vetëm katër minutash Erzeni dyfishon shifrat me anë të Nonatos që gjen rrjetën e portierit rrogozhinas pas një pasigurie të këtij të fundit.
Me nisjen e pjesës së dytë janë miqtë ata që reagojnë dhe shënojnë falë të zakonshmit Duamena. Ky nuk do të jetë i vetmi gol për sulmuesin në këtë sfidë por i dyti do të anulohet për pozicion jashtë loje.
Sakaq, më parë edhe shijakasit panë t’ju anulohej një gol i Nonatos nga sistemi VAR për të njëjtën arsye.
Akoma më e ndezur bëhet përballja në minutat e fundit ku rastet shpërthejnë sa nga njëra portë në tjetrën, por dy portierët dhe shtylla mohojnë golat për pjesën e mbetur të lojës.
Kështu, Erzeni vijon me surprizat dhe tashmë ngjitet në vendin e katërt me 36 pikë, një më pak se Egnatia e vendit të tretë. Të tjera sfida interesante do të zhvillohen nesër ku kryesueset e kampionatit do të jenë përballë Laçit dhe Vllaznisë.