Vëzhgimi/ Reja iku pa u përshëndetur

  • Pas Shqipëri- Armeni (2-0 miqësore) tekniku humbi shnasin e madh për tu përshendetur me tifozerinë dhe skuadrën që drejtoi për tri vite e gjysëm.

Erdhi në krye të Shqipërisë në prill të vitit 2019-të ndërsa drejtoi për herë të fundit kuqezinjtë në 19 nëntor të vitit 2022 në fitorën e Shqipërisë 2-0 ndaj Armenisë në miqësoren e luajtur në “Air Albania Stadium”.

Më pas Edi Reja (77 vjeç), respektoi ditët deri në fund të kontratës dhe dje ai ka marrë përfundimisht përgjigjen zyrtare të largimit nga stoli kuqezi.

Në fakt, Edi Reja edhe pse e dinte përgjigjen e Armand Dukës se ‘vështirë të qëndronte’, humbi shansin e madh për tu përshëndetur me tifozerinë dhe skuadrën që drejtoi për më shumë se tri vite.

Kureshtarët por dhe ‘kritikët’ e ndoqën nga tribuna e Arenës Kombëtare pas testit Shqipëri-Armeni 2-0 (Skuka, Asllani *pen) duke ndjekur lëvizjet e italianit (me origjinë sllovene) por tekniku nuk dha asnjë sinjal apo qoftë një duartrokitje të vetme në drejtim të tribunave. Iku Reja…nga e hëna e 2 janarit 2023 Silvinjo.

Shifrat:

Edi Reja e ka drejtuar Shqipërinë në 38 ndeshje në total, duke marrë 14 fitore, 9 barazime dhe 15 humbje, me një golavarazh të përgjithshëm 46- 45.

Suksesi i tij më i madh u regjistrua në Ligën e Kombeve ndërsa Shqipëria u ngjit nga Liga C në atë B. Mund të konsiderohet arritje dhe ecuria e Shqipërisë në kualifikueset e Botërorit ‘Katar 2022’. Në një grup me Anglinë dhe Poloninë grumbulloi më shumë pikë se çdo trajner tjetër në grupe (18- e treta në grup).

Zhgënjyese për italianin ishte performanca te Liga e Kombeve e këtij sezoni. Shqipëria u rendit e fundit në grup duke mos fituar asnjë takim e mbledhur vetëm 2 pikë. Aty ku bënin pjesë Shqipëria, Islanda dhe Izraeli./Isuf Myrtaj/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!