Ndeshje spektakolare, Shqipëria e vështirë ndaj Italisë

Miqësore:
Shqipëri – Itali 1-3 (Ismajli 16’/ Di Lorenco 20′, Grifo 25′, 64′)

Miqësore e spektakëlit, golave dhe 5 shtyllave (dy Shqipëria e tre Italia). Kampionët e Europës diktojnë në lojë e shifra.

Emocione të shumta në “Air Albania” dhuroi miqësorja Shqipëri – Itali. “Derbi” Mançini – Reja u fitua nga trajneri i “axurrëve” me diferencën e 2 golave.

Kuqezinjtë nuk e nisën keq sfidën duke mos lejuar italianët të krijonin dhe shënonin. Madje për Shqipërinë erdhi dhe goli i minutës së 16′-të nga Ismajli pas asaj goditjeje të saktë me kokë duke “zhdukur” mbrojtjen mike.

Por gëzimi kuqezi nuk zgjati shumë pasi këmbëngulja e Italisë u shpërblye me gol vetëm pas pak minutash. Di Lorenco shënoi duke kthyer shifrat në baraspeshë dhe duke rritur entuziazmin te miqtë të cilët nuk i ndahen rrjetës së Berishës.

Grifo ishte i radhës që shënoi për italianët pas një shpërqendrimi të mbrojtjes sonë. Pas avantazhit italianët dominuan dhe krijuan edhe raste të tjera shënimi por pjesa e parë u mbyll me kaq.

Në të dytën rastet janë të shumta për të dyja skuadrat por janë italianët ata që shënojnë sërish me Grifon golin e tretë dhe të fundit të sfidës.

Nuk mungojnë shkëndijat as nga kuqezinjtë që me Uzunin dhe Skukën tregohen në disa raste të rrezikshëm por në mungesë të fatit dhe saktësisë nuk prodhojnë më gola.

Kështu mbyllet kjo miqësore mes dy skuadrave që pavarësisht humbjes që nuk la një shije të mirë, duhet thënë që në “Air Albania” atmosfera dhe loja e zhvilluar nga të dyja ekipet ishin të mrekullueshme./Sara Gjidiaj/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!