Tirana vendos ‘flamurin’ në kryeqytet, Xhixha njeriu i mbrëmjes

Nga Sara Gjidiaj

Derbi në fushë, derbi në tribuna…Redon Xhixha “ylli” i mbrëmjes, Partizani nuk shfrytëzon epërsinë numerike…

Abissnet Superiore, Java 6:
Partizani – Tirana 0-2 (Xhixha 45+1′, 68′)

Derbi i parë sezonal ai i 168-të në radhë, dhuroi spektakël në “Air Albania Stadium”. Bardheblutë triumfuan 0-2 ndaj kryesuesve të Partizanit, të cilët nuk kanë fituar një derbi që prej marsit 2021. 2 supergola, 2 kartonë të kuq dhe atmosferë elektrizuese në sfidën përmbyllëse të javës së 6-të ‘Abissnet Superiore’.

Një pjesë e parë e zjarrtë me episode të diskutueshme dhe shumë emocione. Pas atij fillimi më të mirë të të kuqëve, Tirana nis të balancojë duke u orientuar më shpesh nga zona e të kuqve. Mundësia e artë për Tiranën vjen në minutën e 25′-të kur Patrik Robson fiton një penallti në zonë, e cila merr rreth 4 minuta për t’u verifikuar.

Ekzekutimin e 11-metërshit e merr përsipër Redon Xhixha por gjuajtja e sulmuesit pritet në mënyrë perfekte nga portieri Rexhepi. Menjëherë më pas sërish sistemi VAR fton Juxhin Xhajën të shohë në monitor një rast flagrant të ndërhyrjes së Lulajt ndaj Skukës. Mbrojtësi bardheblu ,nxirret jashtë me karton të kuq si lojtari i fundit.

Dinamika e lojës teksa luhej koha shtesa e fraksionit të parë, me numrin 19 Redon Xhixha në ‘betejën’ me portierin Rexhepi. Gabimi i ‘gardianit’ dhe kualiteti i sulmuesit laçian të Tiranës për golin e parë të takimit.

Pas rikthimit nga dhomat e zhveshjes, Partizani vë disi në presion Tiranën por jo Xhixhën. Protagonisti i mbrëmjes rrëmbeu një top në gjysmëfushën e skuadrës së tij dhe përshkoi rreth 70 metra me sferën në këmbë i paarritshëm për lojtarët e Partizanit.

Sulmuesi finalizoi duke mbyllur një aksion vetjak brilant me topin që pasi prek shtyllën përfundon në rrjetë për një 0-2 të rëndë.

Në pjesën e mbetur të sfidës, shifrat nuk ndryshojnë por numri i lojtarëve në fushë po. Matondo ndëshkohet me të kuq në momentet e fundit të shtesës duke i dhënë dhe goditjen e fundit Partizanit.

Kështu mbyllet derbi i kryeqytetit, i pari për këtë sezon, me fitoren plotësisht të merituar të bardhebluve. Xhixha protagonist tashmë vesh spaletat e një lideri te skuadra e Orges Shehit teksa shkon në 7 gola te lista e shënuesëve më të mirë.

Pas kësaj fitorjeje Tirana ngjitet në kuotën e 11 pikëve, një më pak se Partizani kryesues.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!