Intervista epike, Tufa sjell Berishën kardilog

  • Historia e veçantë e një interviste me stil perëndimor kryer me 9 prill 1985, realizuar nga gazetari sportiv, ish-kryeredaktori i ‘Sporti Shqiptar’, sot ‘Mjeshtër i Madh’, Bashkim Tufa, me mjekun kardiolog të asaj kohe Sali Berisha.

‘Sportiim.al’ boton në kronologji të plotë mënyrën se si autori arriti të depertojë te mejku që pas viteve 1990 u vesh me shumë pushtet politik.

Këtu nis materiali ‘Tufa’:

Ja si iu “vodh” mjekut kardiolog, Sali Berisha, intervista për rubrikën “Kultura fizike për të gjithë”

Kësaj here, në rubrikën tonë “Kujtesë” kemi zgjedhur për të botuar një shkrim krejt të veçantë. Nuk bëhet fjalë për ndonjë reportazh a kronikë të ndonjë ndeshjeje të kombëtares, as për ndonjë titull të lartë të fituar nga ndonjë sportist, apo skuadër shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Duke rrëmuar në arkivin shumëvjeçar, unikal dhe të pasur të gazetës “Sporti Shqiptar”, nga botimi nr.15 (2250), i datës 9 prill të vitit 1985, i hodhëm një vështrim artikullit të kohës; “Ushtrimet fizike riaftësojnë edhe zemrën e sëmurë”, një intervistë e bërë me kandidatin e shkencave, përgjegjësin e kabinetit të hemodinamikës në Spitalin Klinik nr.1 të Tiranës, mjekun kardiolog Sali Berisha, ish Kryeministër i Shqipërisë sot kryetar i Partisë Demokratike.

Realizimi i kësaj interviste nuk lidhet aspak me pozicionin dhe detyrën që ushtronte personi në fjalë. Arsyet janë krejt të tjera. Së pari, edhe pse kanë kaluar 37 vjet nga realizimi i kësaj interviste, tema që trajtohet në këtë bisedë dhe këshillat që jepen, vazhdojnë të jenë të vlefshme, pasi bëhet fjalë për një problem, që do të jetë përherë koherent, pavarësisht rendit apo sistemit, pasi në vetvete mbart vlera sociale dhe humane.

Së dyti, edhe ky është më i rëndësishmi për ribotimin e kësaj interviste, lidhet me rubrikën “Kultura fizike për të gjithë”, një rubrikë permanente me një peridiocitet njëmujor, që botohej asokohe në gazetën “Sporti Popullor”, siç emërtohej vite më parë gazeta “Sporti Shqiptar”. E treta, dhe e fundit, do të tregojmë edhe ndonjë intimitet se si është realizuar kjo intervistë, por edhe të tjera, që janë botuar nën okielon e kësaj rubrike…

…Në fillim të vitit ‘83, në një mbledhje redaksie, na u tha, që në gazetën “Sporti Popullor”, me porosi të Komitetit Qendror të Partisë, do të botohej një rubrikë të re, që do të emërtohej “Kultura fizike për të gjithë”. Nuk na u tha arsyeja, por si nëpër dhëmbë, dikush tha se Partia ishte e shqetësuar se brezi i ri nuk po merrej aq sa duhej me fizkulturë dhe sport, me kalitjen e tij. Mbulimin e kësaj redaksia ma ngarkoi mua.

Të them të vërtetën, nuk më pëlqeu fare, por isha më i riu në redaksi për nga mosha dhe në njëfarë mënyre, isha më i afti dhe më i përgatitur, pasi kisha arsimimin e nevojshëm nga që kisha përfunduar studimet në ILKF “Vojo Kushi”.

Megjithatë, nuk u ndjeva për pakënaqësinë, pasi isha koshient për pasojat. Rubrika në fjalë “Kultura fizike për të gjithë” do të kishte doemos një intervistë me një nga mjekët më të shquar të vendit, të cilët do të jepnin këshilla, ndonjë reportazh për masivitetin me kolektiva punonjësish apo shkollash, si dhe këshilla praktike për shëndetin.

Gjithashtu, më dhanë edhe një listë me emrat e mjekëve, të cilët, sipas radhës do të intervistoheshin, si dhe një broshurë me citate të shokut Enver që do të vendoseshin për çdo herë në krye të faqes. Lista e mjekëve kishte ardhur e përpiluar nga Komiteti Qendror i Partisë. Më kujtohet që në hapje të rubrikës, kam bërë një bisedë me prof.dr. Ylli Popën. Mezi e kam realizuar, i kam bërë presion, por në fund ia arrita qëllimit. U bëmë miq.

Pas intervistës e kam takuar prof. Popën, i cili më ka thënë: “Kam shkruar shumë artikuj shkencorë, por askush nuk më ka përgëzuar më tepër se sa pas shkrimit të botuar në gazetën “Sporti”. Megjithatë, ishte tepër e vështirë të intervistoje mjekët kardiologë, ata ishin elita e mjekësisë dhe duheshin shumë përpjekje, duheshin kapur shumë miq, që të arrije t’i intervistoje ata. Sidoqoftë, në faqet e gazetës kanë shkruar me radhë të gjithë mjekët më të shquar të vendit. Shfletoni arshivën dhe do t’i gjeni shkrimet e tyre…

Por ja, pas disa kohësh, i erdhi radha të intervistohej edhe kardiologu Sali Berisha. Mendoja se realizimin e kësaj interviste do ta kisha më të lehtë se sa me kolegët e tij. Kjo për faktin se vjehri i tij, i ndjeri Rexhep Rama, ishte një kuadër, një aktivist i shquar i lëvizjes fizkulturore-sportive në vendin tonë.

Kështu që paraprakisht, bisedova me të për të ndërmjetësuar për t’u takuar me doktor Berishën. Zoti Rama e kreu porosinë dhe më njoftoi se doktori do të më priste në shtëpinë e tij. Ashtu bëra. Të shtunën pasdite, sipas llogarive të mia tani, të 6 prillit të vitit 1985, shkova në banesën e doktor Berishës, aty në rrugën “Fortuzi” në katin e dytë. Më priti në një dhomë, të arreduar me punime druri, që ngjante me një studio. I shpjegova doktorit arsyen përse kisha shkuar dhe i thashë se doja të bëja me të një intervistë.

Doktor Berisha shkruajti temën e intervistës dhe më tha që të vija pas dy javësh, pasi gjatë kësaj kohe ai do të hapte literaturën dhe do të studionte për këtë çështje. Mbeta keq. Më duhej ta mbaroja me çdo kusht atë ditë intervistën, pasi nuk kisha kohë, redaksia priste shkrimin. U përpoqa ta bindja Berishën, por ishte e kotë. Unë, nga që nuk e doja rubrikën, e neglizhoja dhe çdo gjë e lija për çastet e fundit.

Fillova të mallkoja veten për gabimin. Por befas, diçka m’u kujtua. Rastësisht, në xhepin e xhaketës kisha një diktofon japonez shumë të mirë, profesional. Vetëm 7 të tillë ishin në në të gjithë Shqipërinë dhe redaksitë kishin marrë nga një të tillë. Nuk kisha rrugë tjetër, ashtu me kujdes e shtypa dhe si rastësisht i bëra doktorit një pyetje. Doktor Berisha, kështu siç është edhe sot, plot energji dhe karizëm, nisi të më flasë. Lëshova edhe pyetjen e dytë, më pas të tretën dhe me radhë…

Ai më fliste, pikërisht për atë që unë doja. Atëhere kur mendova se ia kisha arritur qëllimit dhe kisha marrë materialin e nevojshëm për intervistën, mora frymë i lehtësuar dhe i thashë: “Faleminderit doktor, unë e mbarova intervistën!” dhe nxorra nga xhepi diktofonin. Berisha u habit, nuk e priste një gjë të tillë.

Ndeza diktofonin dhe e lashë të dëgjonte veten. Dëgjo doktor, vijova: “Unë do ta zbardh këtë bisedë dhe do ta sjell të hënën në spital që ta shikojmë edhe një herë se mos ka ndonjë lapsus para se ta botoj”. Ramë dakort.
Ndërkohë ora po shkonte 20. Doktori më ftoi në guzhinë për të ndjekur emisionin e lajmeve në TVSH.

Bashkëshortja e tij, zonja Liri, kreu detyrën e zonjës së shtëpisë duke më qerasur. Në shtëpinë e doktor Berishës, për herë të parë kam parë një televizor të vogël të kuq me ngjyra, e kishte marrë në Francë kur kishte qenë për specializim. Ndërsa unë ndiqja lajmet, Berisha dëgjonte fjalët e tij në diktofon.

Të hënën, ashtu siç kishim rënë dakort, shkova në spital dhe i dhashë doktorit shkrimin e zbardhur, ndërkohë që një kopje e kisha çuar në shtypshkronjë për ta radhitur. Bëri pak korrigjime. Të nesërmen, pra të hënën më 9 prill, në gazetën “Sporti Popullor”, në rubrikën “Kultura fizike për të gjithë” botohej intervista me mjekun kardiolog Sali Berisha, të cilën ne po e ribotojmë pas kaq vitesh.

Më pas, në raste të ndryshme, kemi patur ndonjë kontakt të largët me doktorin. Më kujtohet edhe një episod që ia vlen ta tregoj. Ka qenë rreth vitit 1995 apo vitit 1996, nuk më kujtohet saktësisht koha, por ngjarja ka ndodhur në Shkodër. Zoti Berisha, atëherë ishte President i Republikës dhe nuk e di qëllimin përse ishte në këtë qytet. Rastësisht, duke shëtitur rrugëve të qytetit, u gjendëm ballë për ballë. Para se të takoheshim, doktori, me të qeshur më tha: “A t’u them këtyre të të kontrollojnë çfarë ke në xhep!”. E kishte fjalën për bodigardët…

Qeshëm së bashku, pasi vetëm ne të dy e dinim këtë episod. Edhe pse kishin kaluar vite ai e mbante mend “rengun” që i kisha bërë. Tani, këtë intimitet po e bëj publik… Doktorit nuk besoj se do t’i vijë keq. Le të jetë ky një apel për të që t’i hedhë sytë më tepër edhe nga sporti…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!