Kualifikuese/ Shqipëria për femra mundet nga Polonia
- Shqipëria e teknikut Armir Grima humbi 1-2 në “Elbasan Arena” me Poloninë në një sfidë të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Australi – Zelandë e Re 2023”
Kombëtarja e futbollit për femra është mundur në “Elbasan Arena” nga Polonia me përmbysje. Ndeshja e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës u mbyll me rezultatin 1-2 në favor të polakeve.
Ishte Shqipëria ajo që kaloi e para në avantazh me golin e Krasniqit në minutën e 11′-të pas një aksioni individual të finalizuar si duhet.
Sfida po interpretohej mirë nga vajzat kuqezi deri në minutën e 24′-të kur Pajor shënoi golin e barazimit dhe vetëm 5 minuta më pas, sërish Pajor kalon në avantazh Poloninë nga pika e bardhë e penalltisë.
Nuk ndryshojnë shifrat në pjesën e dytë. Shqipëria lufton deri në fund për të marrë të paktën barazimin por nuk ia del. Megi Doçi i afrohet golit 10 minuta nga fundi me një goditje dënimi nga pozicioni i saj i preferuar. Sfera e goditur thuajse perfekt, u ndal nga shtylla duke i mohuar Doçit vendosjen e baraspeshës.
Sakaq, kjo ishte ndeshja e parafundit e kombëtares sonë për këto kualifikuese ku Shqipëria renditet e katërta në grupin F me 10 pikë. Fushata kualifikuese për vajzat kuqezi, mbyllet të martën përballë Norvegjisë kryesuese. /S.Gjidiaj/