Vukiçeviç: Laçi do bëjë lojën e tij, për Partizanin respekt

Intervistoi: Isuf Myrtaj

E ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme. Dejan Vukiçeviç fitoi gjatë verës me Laçin e tij dy miqësore me Vorën dhe Erzenin dhe një zyrtare me Teutën.

Tekniku malazez flet para takimit të së hënës (java e dytë) me Partizanin në program në “Elbasan Arena” me start orën 19:30.

Sigurisht sipërfaqësisht pasi detajet duket se i rikthyeri te bardhezinjtë, i ka ruajtur përballë të kuqëve të cilët sipas 54 vjeçarit meritojnë respektin maksimal. “Klub me traditë të jashtëzakonshme”, veçon trajneri.

Vukiçeviç:

Si vjen Laçi në transfertën me Partizanin?-“Jemi përgatitur për një ndeshje të bukur. Ndihem i kënaqur me mënyrën se si lojtarët punojnë në stërvitje shoqëruar me respekt maksimal për Partizanin. Në lojë janë 3 pikë të rëndësishme sigurisht, por jo më e rëndësishmja. Kampionati sapo ka nisur dhe të gjithë janë ende në kërkim të formës së duhur për një kampionat të gjatë.”

Kolegu juaj i Partizanit tha sot në konference shtypi se Laçi është i fortë…-“Të njëjtën gjë mund të them edhe unë për skuadrën e Partizanit, e mbuluar mirë në të gjitha pozicionet, me shumë lojtarë cilësorë dhe një listë të madhe. Klub me traditë e jashtëzakonshme… ne dimë gjithçka për ta, ashtu si ata për ne, por lojtarët janë ata. Ata që do të vendosin ndeshjen.Unë besoj te ekipi tim dhe jam i sigurt se do të bëjmë një ndeshje të mirë.

Ndonjë lojtar i afruar së fundi në formacion?-“Rreziku në një ndeshje kaq të rëndësishme ndaj një kundërshtari cilësor është të luash me lojtarë të papërgatitur sa duhet. Disa prej tyre janë gati në shërbim të ekipit, disa ende jo. Ne do të jemi të durueshëm me ta, megjithëse cilësia e tyre sigurisht që është e nevojshme për ne. Nuk do nxitohemi.

Objektivi dhe mënyra e të luajturit?- “Pres një ndeshje të hapur, nuk do të mbrohemi, do të mundohemi të imponojmë stilin tonë dhe shpresoj në një ndeshje të mirë dhe rezultat pozitiv.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!