Vllaznia fiton me Markun, Kukësi nuk shfrytëzoi epërsinë…

Vllaznia – Kukësi 2-1 (Heriç 27′, Marku 96’/ Zhivkoviç 56′)
Është mbyllur me fitoren e shkodranëve në shifrat 2-1 sfida në “Loro Boriçi” mes Vllaznisë dhe Kukësit. Topi i parë u godit në mënyrë simbolike nga një emër i madh i futbollit shkodran dhe jo vetëm, Armando Cungu.
Të parët që kaluan në avantazh ishin kuqeblutë me një gol të Heriç kur luhej minuta e 27′-të. Mesfushori avancoi me topin në këmbë dhe mposhti portierin mik me gjuajtjen tokazi në të majtë të Tafas. Vllaznia e mbyll pjesën e parë me dominimin në fushë dhe avantazhin minimal në shifra.
Ndërkohë, në pjesën e dytë “stafeta” i kalon Kukësit. Verilindorët, më kërkues, arrijnë të gjejnë golin e barazimit në minutën e 56′-të me Zhivkoviç që dërgon sferën në rrjetë me goditjen e dytë pas një grushtimi të Zogoviç.
Më e ashpër sfida në minutat e fundit kur Kridens Meta akordon një penallti në favor të vendasve por VAR e thërret për ta parë në monitor. I drejtë vendimi i dytë, ska penallti.
Menjëherë më pas, Herald Marku përfiton në maksimum nga një aksion i shpejtë i kuqebluve dhe dërgon topin në cepin e portës së mbrojtur nga Tafas duke i dhuruar Vllaznisë fitoren në këtë sfidë të rëndësishme dhe duke zgjuar festën e teknikut Josa.
Vllaznia merr kështu 3 pikët e para më se të nevojshme pas humbjes përballë Erzenit, ndërsa Kukësi do të mendojë të gjejë triumfin e parë javën e ardhshme ndaj Kastriotit.
Foto F. Hazisllari /materiali nga S.Gjidiaj/