Erzeni befason Vllazninë, Alan Rodrigues perla e premierës

Abissnet Superiore: Erzeni-Vllaznia 1-0 (Alan Rodrigues 22′)

Erzeni u rikthye në Superiore pas 19 vitesh mungesë në mënyrën më të mirë të mundshme. Shijakasit surprizuan në start duke mposhtur minimalisht favoritët e Vllaznisë në “Niko Dovana”.

Që në minutat e para Erzeni u shafq më kërkues duke penguar shkodranët të bëjnë lojën e tyre. Skuadra shijakase u gjend disa herë në zonën e Vllaznisë derisa në minutën e 22′-të erdhi goli vendimtar i sfidës.

Alan shfrytëzoi në maksimum një goditje dënimi nga një distancë e konsiderueshme duke mposhtur portierin Zogoviç dhe duke ndalur topin në rrjetë. Përveç golit të shënuar, braziliani ishte dhe një nga më të dalluarit në fushë për Erzenin.

Vllaznia u duk në “gjumë” përgjatë pjesës së parë ndërsa me startin e aktit të dytë, loja e shkodranëve ndryshoi. Kuqeblutë sulmuan më shumë por pa arritur të thyejnë shijakasit që treguan se kanë kualitet edhe në prapavijë.

Skuadra e teknikut Josa zhgënjeu në start duke nxjerrë në pah shumë mangësi, ndërsa Erzeni, i formuar me jo pak vështirësi dhe me vetëm 5 lojtarë në stolin e rezervave, tregoi se dhe një ekip i vogël me ambicie të mëdha mund të bëjë shumë. Mbetet për t’u parë në vazhdimësi ecuria e dy skuadrave./ S. Gjidiaj/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!