Josa: Vlerësojmë Erzenin, Vllaznia ka alenacë me vetën

Flet trajneri që i dha pak muaj më parë Kupën e 70-të Vllaznisë. Në krah të tij në daljen e parë para kampionatit të ri edhe kapiteni Gurishta

Kampionati për Vllazninë nis nesër në orën 17:00 përballë Erzenit në “Niko Dovana” të Durrësit. Trajneri i kuqebluve Mirel Josa dhe kapiteni Erdenis Gurishta kanë folur në prag të sfidës së parë të këtij sezoni për gjendjen e skuadrës dhe objektivat e sezonit të ri.

Trajneri Josa:

Start me fitore?
“Nuk do të thotë që është starti dhe ne duhet të fitojmë patjetër ndeshjen. Ne duhet të shkojmë me mendimin për ta fituar ndeshjen dhe nuk ka rëndësi niveli i skuadrës me të cilën luajmë, problemi jemi ne. Duhet t’i vlerësojmë të gjithë kundërshtarët.”

Gjendja e skuadrës dhe mungesat?
“Bulatoviç mungon. Nuk do të jetë në lojë për arsye dëmtimi. Kemi lojtarë të tjerë të gatshëm që duhet të japin maksimumin.”

Erzeni, kundërshtar i lehtë?
“Është skuadër që ka treguar karakter. I arriti qëllimet e veta në Kategorinë e Parë dhe tani ka qëllime të tjera. Ne duhet t’i vlerësojmë të gjitha skuadrat njëlloj me mënyrën tonë të lojës. Duhet ta vlerësojmë maksimalisht Erzenin.”

Objektivi për këtë sezon?
“Duhet të shohim se çfarë do të japim në fushën e lojës dhe sa të bashkuar do të jemi si skuadër për të arritur objektivat dhe objektivi jonë është të fitojmë çdo ndeshje.”

Çështja “Mala”?
“I dhashë dakortësinë klubit për të gjetur akordin me Malajn. Ka ende probleme me klubin tjetër dhe besoj nuk do të jetë i gatshëm për nesër por edhe sikur të ishte nuk do ta kisha aktivizuar pasi nuk është stërvitur sa duhet me grupin. Urojmë të zgjidhet çështja sa më shpejt pastaj të tjerat janë problemi im.”

Merkatoja në vazhdim?
“Nuk më pëlqen të bëj ndërhyrje në ekip në momentet e fundit pasi ne kemi prej 15 qershorit që stërvitemi me këtë grup. Po të jetë diçka e veçantë, diçka shumë e mirë, atëherë pse jo.”

Aleancat?
“Nuk diskutoj problemin e aleancave. Vllaznia duhet të ketë aleancë brenda grupit të saj. Aleancat është turp t’i përmendim 1 ditë para se të fillojë kampionati. Klubet e tjera le të bëjnë çfarëdolloj aleancë të duan, qoftë me njëri-tjetrin, qoftë të tjera që mundohen të bëjnë. Ne do të shohim punën tonë.”

Ndërsa kapiteni Gurishta shprehet entuziast për fillimin e kampionatit duke theksuar se me zor po presin ditën e nesërme. Sipas tij rëndësi ka që ekipi ta nisë me fitore nesër sepse kundërshtari është i fortë.

“Në grup ka harmoni dhe duam t’i marrim ndeshjet 1 nga 1. Forma ime është maksimale dhe pres të jap 100% tim nesër. Në skuadër ka konkurrencë dhe kjo është diçka e mirë”, ka thënë ndër të tjera Erdenis Gurishta.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!