Kombëtarja e veteranëve kuqezi merr pjesë në turneun në nderim të legjendës Fadil Vokrri

Edhe këtë vit Kombëtarja shqiptare e veteranëve të futbollit ka marrë pjesë në turneun tradicional që zhvillohet në Prishtinë në ditëlindjen e legjendës, Fadil Vokrri. Ndeshjet janë zhvilluar pikërisht në stadiumin që mban emrin e ish-futbollistit të famshëm dhe ish-presidentit të ndjerë të FFK-së, Fadil Vokrri, duke mbledhur kështu emra që kanë bërë histori në futbollin mbarëkombëtar.

Sfida e parë e turneut, që organizohej në kujdesin e veçantë të Federatës së Futbollit të Kosovës, ka qenë ajo ndërmjet veteranëve të Prishtinës dhe Llapit, skuadra në të cilat luajti gjatë karrierës së tij ish-presidenti i FFK-së, dhe më pas ndeshja kryesore ajo ndërmjet veteranëve të Kombëtares së Kosovës dhe veteranëve të Kombëtares së Shqipërisë.

Përpara fillimit të ndeshjeve të gjitha ekipet pjesëmarrëse bën homazhe dhe vendosen buqeta lulesh tek shtatorja e legjendës Vokrri në hyrje të stadiumit, teksa turneu filloi me një minutë heshtje në nderim të tij.

Shqipëria u mund nga Kosova me rezultatin 2-1, në ndeshjen vëllazërore dhe dhuroi plot emocione dhe spektakël. Kosova kaloi në epërsi në minutën e 2-të me golin e Xhavit Mehmetit, teksa më vonë ish-futbollisti i njohur i Prishtinës, Sheremet Isufi, shënoi në minutën e 25-të, duke fiksuar shifrat në 2-0.

Në pjesën e dytë dominimi ishte në anën e veteranëve kuqezinj, të cilët arritën që në minutën e 32-të të ngushtojnë disavantazhin, me golin e Mërgim Mavrajt, nga penalltia, por deri në fund rezultati nuk ndryshoi. Në ndeshjen tjetër, Llapi mundi Prishtinën (2:0), me dy golat e Driton Rrahmanit.

Në ceremoninë e zhvilluar në fund të turneut për ekipet pjesëmarrëse anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Ismajl Ajeti e Agim Nura, së bashku me emrat e njohur të futbollit si Ajet Shosholli, Sulejman Mema, Ramadan Cimili e Ramiz Krasniqi, shpërndanë medaljet, teksa ekipi i veteranëve të Kosovës u shpall fitues i trofeut “Fadil Vokrri”.

Kjo ishte sfida e dytë vëllazërore për këtë vit mes veteranëve të futbollit të Shqipërisë dhe Kosovës, teksa e para u luajt më 17 shkurt 2022 në Prishtinë, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës./FSHF/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!