Ekskluzive/ Zarubica i tha ‘Jo’ Bandirmaspor, familja Roganoviç…
Për 29 vjeçarin nga Podgorica ka folur me superlativa edhe presidenti i Federatës së Malit të Zi, Dejan Saviçeviç gjatë verës në Podgorica- Laçi për CL.
Njëri nga ekipet më vitalë në sezonet e fundit në Superiore, Laçi, nuk zhgënjeu as këtë edicion të 83-të ‘Abissnet Superiore’. Me kalendarin i cili ofron dhe 5 xhiro nga fundi, bardhezinjtë janë shumë pranë biletës së 9-të europiane në 11 vitet e fundit.
Natyrisht meritë e padiskutueshme e klubit me Laskën president ndërsa në mënyrë permanente ka ditur të gjenerojë organikën fituese.
Ndërkohë ndërsa po luhej Laçi- Tirana (1-0) për javën e 31-të, ‘Sporti im.al’ pikasi një dukuri interesante te kurbinasit. Në tribunën VIP u pa një numër i madh tifozësh nga Mali i Zi teksa familja e mbrojtësit Marko Roganoviç kishte mësyer e gjitha…
Por jo vetëm numri 4 vjen nga fqinjët veriorë këtë sezon te kurbinasit. Te Laçi, një futbollist plot cilësi si Dejan Zarubica, i takon po shkollës malazeze të futbollit.
Ai pati një start mbresëlënës ndërsa në tri ndeshjet e startit, shënoi dy gola ndaj Vllaznisë dhe dy të tjerë ndaj Kukësit në Kamëz. Më pas një dëmtim i lehtë e largoi disa javë por më vonë kur kampionati hyri në shina, ‘Dejan 99’, mori një tjetër dëmtim duke mbetur jashtë fushave për afro 2 muaj.
I kthyer te Laçi në këtë sprint final, sulmuesi pranoi të flasë ekskluzivisht për portalin ‘Sportiim.al‘ duke zbuluar mes të tjerave se në janar ka patur dy oferta konkrete nga Turqia. Ka shënuar 7 gola sezonalë.
Zarubica, më në fund rikthyer pas atij dëmtimi…-“Dy muaj pas atij dëmtimi nuk ishin aq të lehtë për tu kaluar.’
Ku u kuruat?-” Mund të mendohet në Podgoricë por jo. Ndërhyrja dhe përkujdesja falë klubit, ka qenë e gjitha këtu në Tiranë te ‘Spitali Amerikan’.
Rekuperuar plotësisht dhe jeta juaj në Shqipëri?-” Ka disa ditë që fizikisht jam plotësisht gati. Kuptohet përshtatja sa vjen dhe perfeksionohet. Jeta këtu? Tërësisht mirë, perfekt gjithëçka, jam shumë i kënaqur.”
Kontrata me Laçin dhe vijimësia?-“Kisha disa oferta në janar nga Turqia por që nuk u arrit marrëveshja. Isha shumë pranë Bandirmaspor (ekip në Ligën e Parë turke, vendi i tretë aktual- redaktori), por siç e thashë, megjithë këmbënguljen e tyre nuk u konkludua. Në situata ku në mes është dhe klubi aktual, preferova refuzimin.
Me Laçin e kam deri në fund të këtij sezoni. Vijimësia? Jam i gatshëm për të vijuar, do ulem me klubin për marrëveshjen e re”./Përgatiti: Isuf Myrtaj/
Në foto: Familja Roganoviç gjatë Laçi- Tirana.