Gjirokastra shtyn ‘Rajonalet’

Asambleja e Shoqatës Rajonale e Futbollit Gjirokastër nuk arriti sot të zhvillojë punimet sipas axhendës së parashikuar për shkak të ndërhyrjeve politike, që arritën deri në mbylljen e stadiumit Luftëtari ku do të zhvilloheshin punimet dhe presionit të madh ndaj anëtarëve të kësaj shoqate.

Kryetari i SHRF Gjirokastër, Sadik Sadikaj i shoqëruar nga stafi i tij dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Arben Dervishaj, u paraqitën në ambientet e stadiumit për të organizuar mbledhjen, por konstatuan se dyert ishin të mbyllura dhe nuk u lejuan të hynin brenda.

Nga 9 delegatë që ishin autorizuar sipas përcaktimeve ligjore nga anëtarët, 5 prej tyre munguan. Anëtarët e Shoqatës janë shfaqur të tronditur nga trysnia e madhe politike, teksa përfaqësues të qeverisë dhe kryetarët e bashkive të qarkut i kanë kërcënuar se do t’i heqin nga puna ata dhe familjarët e tyre.

Anëtari i KE-së, Arben Dervishaj duke folur për mediat ka shpjeguar të gjithë situatën dhe ka denoncuar presionin politik që po u bëhet anëtarëve të SHRF Gjirokastër. Sipas Dervishajt, statuti i shoqatës e parashikon që Asambleja të shtyhet me 24 orë, teksa theksoi se ky sabotim bëhet vetëm në dëm të futbollit në Gjirokastër.

“Jemi këtu për të zhvilluar Asamblenë e Shoqatës Rajonale të Futbollit Gjirokastër. Lajmërimet për Asamblenë janë bërë që më përpara, sipas të gjitha afateve të statutit. Edhe klubet janë përgjigjur, duke dërguar delegatët e tyre brenda një periudhe 10 ditore. Ne i kemi administruar ato, i kemi lajmëruar, kemi caktuar dhe jemi dakordësuar me Bashkinë Gjirokastër që mbledhja e Shoqatës Rajonale të Futbollit Gjirokastër do të bëhet në ambientet e stadiumit.

Vijmë këtu, një pjesë e delegatëve si rezultat i presioneve të mëdha politike nuk kanë ardhur, por ndërkohë edhe ambientet për zhvillimin e Asamblesë nuk na janë vënë në dispozicion. Kjo do të ishte një Asamble e zakonshme në të cilat në fund të fundit do të diskutoheshin çështje siç është miratimi i buxhetit të SHRF Gjirokastër”, – tha Dervishaj. (FSHF)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!