FSHF gjendet ‘fajtore’, Gjyktata lë në fuqi vendimin…


Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka lënë në fuqi vendimin që mori në maj Komisioni i Konkurrencës. 

Sot, Autoriteti i Konkurrencës në një njoftim për mediat, ka publikuar vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë lidhur me disa parregullësi të aktivitetit ekonomik të FSHF-së.

Ajo Shkruan:

NJOFTIM PËR SHTYP

Autoriteti i Konkurrencës bën me dije se:

Sot më datë 21.09.2020, Gjykata Administrative e Shkallës së parë Tiranë vendosi:

Lënien në fuqi të Vendimit të Komisionit të Konkurrencës nr. 693, datë 14.05.2020 “Për konstatimin e abuzimit me pozitën dominuese të Federatës Shqiptare të Futbollit, në lidhje me aktivitetin ekonomik që zhvillon, dhe dhënien e kushteve dhe detyrimeve”, si vendim të bazuar në prova dhe në ligj.

Me këtë Vendim, Komisioni i Konkurrencës ka vendosur:

1. Konstatimin e abuzimit me pozitën dominuese të FSHF si entiteti i vetëm të cilit shteti i ka deleguar të drejtën e organizimit dhe zhvillimit të veprimtarive sportive, kombëtare e ndërkombëtare në sportin e futbollit, në lidhje me aktivitetin ekonomik që zhvillon, në drejtim të shitjes së të drejtave të transmetimit televiziv; shitjes së biletave të ndeshjeve të ekipeve kombëtare; sponsorizime dhe reklama.

2. Dhënien e kushteve dhe detyrimeve për të ndaluar abuzimin me pozitën dominuese të FSHF:

a-Detyrimin e FSHF që shitja e përbashkët e së drejtës televizive, si një e drejtë ekskluzive në të ardhmen të reduktohet në fushëveprim dhe kohëzgjatjen e ekskluzivitetit, në një periudhe jo më shumë se 3 (tre) vjet, ku të drejtat të jenë të ndara dhe t’u shiten operatorëve të ndryshëm.

b-Detyrimin e FSHF në të ardhmen të ndajë prokurimin e dy kategorive “Kategorinë Superiore” dhe “Kupën e Shqipërisë”, me dallimin në ofertë me paketën A (ndeshjet kryesore, të rëndësishme) dhe B (ndeshjet e tjera), në mënyrë që ato të mos i përkasin një operatori të vetëm, duke siguruar një pjesëmarrje sa më të madhe të operatorëve audioviziv.

c-Heqjen e ekskluzivitetit në të ardhmen në kontratat e shitjes së të drejtave audiovizive “Highlighte” dhe krijimin e mundësisë për pjesëmarrje sa më të gjerë për operatorët audioviziv. 3. Përfshirjen e Ligës Profesioniste duke i dhënë asaj një rol aktiv në çdo vendimmarrje, që ka të bëje me “shitjen e përbashkët të së drejtë televizive”, si dhe të drejtave të tjera që burojnë prej saj.

4. Detyrimin e FSHF për shpërndarjen e fondeve të ardhura me destinacion të përcaktuar nga UEFA, FIFA etj., në një procedurë transparentë dhe korrekte, në prani të Ligës Profesioniste, në mënyrë që të ruhet konkurrenca e ndershme dhe efektive në treg. Kjo procedurë të bëhet publik në faqen zyrtare të FSHF – www.fshf.org.

5. Detyrimin për zbatimin e një procedure transparente për zgjedhjen e sponsorit kryesor dhe sponsorëve të tjerë, duke mundësuar pjesëmarrje më të gjerë të ndërmarrjeve në treg. Kjo procedurë të bëhet publik në faqen zyrtare të FSHF – www.fshf.org.

6. Detyrimin e FSHF për shmangien e çdo lloj lidhje të drejtpërdrejtë apo të tërthortë pasurore, midis sponsorizuesve të saj dhe përfaqësimit pasuror pranë shoqërisë DIGITALB, lidhje të cilat ndikojnë në kufizimin apo shtrembërimin e konkurrencës, të krijuar për shkak të pozitës së saj dominuese.

7. Detyrimin e FSHF për shmangien e çdo lloj lidhje të drejtpërdrejtë apo të tërthortë pasurore, midis përfaqësuesve ligjore të saj dhe përfaqësimit pasuror pranë shoqërisë DIGITALB, lidhje të cilat ndikojnë në kufizimin apo shtrembërimin e konkurrencës, të krijuar për shkak të pozitës së saj dominuese.

8. Detyrimin e FSHF në të ardhmen për lidhjen e çdo kontrate që vendos të drejta ekskluzive ose të drejta të veçanta në territorin e Republikës së Shqipërisë, për ndërmarrje ose produkte të caktuara, të realizojë procedura prokurimi transparente, jo diskriminuese duke mos vendosur kritere kufizuese dhe përjashtuese në tregun përkatës. Këto kontrata të sillen për vlerësim paraprak pranë Autoritetit të Konkurrencës.

9. Detyrimin e FSHF të hartojë një metodologji për përcaktimin e çmimeve të biletave, me qëllim orientimin drejt kostos të shërbimit dhe çmimit të biletave. Sjelljen për vlerësim paraprak të metodologjisë pranë Autoritetit të Konkurrencës.

10. Detyrimet e përcaktuara në pikat 3, 4, 5, 6, 7, 9 duhet të përmbushen brenda afatit 120 ditor nga dita që ky vendim i është njoftuar.

11. Në rast të mos përmbushjes së kushteve dhe detyrimeve të përcaktuara në dispozitivin e këtij vendimi, FSHF ndëshkohet me gjobë deri në 5 % të xhiros mesatare ditore për shkelje të rëndë të konkurrencës në zbatim të nenit 76, pika 1, germa (a) të ligjit nr. 9121/2003.

12. Monitorimin e zbatimit të këtij vendimi, për një periudhë 2 vjeçare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!