Gasperini: “Njerëzit në Bergamo festojnë”
Xhan Piero Gasperini, trajneri i Atalantas, pas ndeshjes shprehu “keqardhjen” e tij, që u eliminua nga Paris SG në çerekfinalen e Champions League, por theksoi, se ai vetëm mund të “falënderojë” të tijtë.
“Kemi keqardhje, sepse na kishte mbetur pak dhe dukej se mund të ecim përpara. Ajo që mbetet është kënaqësia që kemi bërë një Champions të shkëlqyeshëm, gjithnjë në rritje, kundër më të mirëve në Europë. Unë vetëm mund t’i falënderoj djemtë, për atë që jetuam së bashku”, tha ai Gasperini te “Sky Sport”.
“Në këto lojëra rivalët janë ndër më të mirët në botë. Marrja e golave në shtesë na lëndoi më shumë, por ne bëmë atë që duhej të bënim. U përpoqëm të duronim me gjithçka,” vazhdoi ai.
Trajneri italian kujtoi se Champions League është një konkurs “në të cilin detajet bëjnë ndryshimin”, por gjithashtu shtoi se tifozët e Bergamos kanë arsye për të qenë krenarë.
“Njerëzit e Bergamos festojnë. Ata festojnë sepse ndjehen pjesë e jona, ekipi dha gjithçka dhe kjo është ajo që ata kërkojnë prej nesh. Ne duhet të jemi të lumtur,”- përfundoi Gasperini.