“Kemi mundësi ta nderojmë Shkodrën”…
Të dielën, skuadra shkodrane e Vllaznisë arriti fitorten e pare nën drejtimin e trajnerit Hysen Dedja. Edhe pse luante në Gjirokastër, ajo arriti të fitonte 1-0 ndaj vendësve të Luftëtarit. Në një intervistë për RTSH Sport, trajneri shkodran Hysen Dedja, ka folur për të dhe synimet e skuadrës së Vllaznisë, që ai po drejton në këtë fund sezoni.
Fitorja? “Tripikëshi ishte psikologjikisht i vlefshëm. Skuadra luajti mirë në fushë dhe doli në momente të veçanta me mend para portës. Madje ka pasur edhe përplasje me kundërshtarin. Pashë rritje te disa lojtarë. Pavarësisht temperaturave dhe fundi i garës që po vjen, me dy seanca në ditë, jam munduar që të bëj më të mirën me skuadrën”.
Të huajt? “Lojtarët e huaj kanë përfunduar kontratat. Unë nuk bëj dallime, ata përfaqësojnë Vllazninë, por këta që kanë ardhur e shoh që kanë mungesë impenjimi. E quajnë veten profesional më shumë jashtë fushe se brenda fushe. Shkodra u ka dhënë shumë atyre, u bëjnë respekt në Shkodër, kanë detyrime këtu. Gligorov para pesë ditëve më tha që kam mbaruar kontratën. Nuk e besova, madje më kërkoi leje, por këtë duhet t’ua jap kryebashkiakja dhe administrarori dhe iku”.
Rivaliteti? “Bashkë me skuadrën dhe stafin duhet që të mendojmë për ndeshjet tona, kalendarin e kemi shumë të fortë. Në Korçë këtë fundjavë, vjen Kukësi, kemi Partizanin dhe Vlorën. Na ka dhënë shans edhe FSHF që të luajmë në darkë. Mendoj që lojtarët kanë mundësi që të bëjën më shumë sepse kanë cilësi, e tregojnë edhe në stërvitje. Kemi mundësi ta nderojmë Shkodrën dhe veten dhe t’i ikim asaj zone.
Ndeshja e radhës? “Në ballafaqimin me Skënderbeun është shumë e vështirë, por jo e parealizueshme që të fitojmë. Kemi pasur guximin, e kam ndjekur edhe ndeshjen e parë në Korçë. Motivet tona janë më shumë se të Skënderbeut”, – ka deklaruar trajneri i shkodranëve Hysen Dedja.