Markez nuk fal, rekord në “polin” e 59-të…

● Gara për “Grand Prix” të Austrisë, në kategorinë MotoGP, do të startojë të dielën, në orën 14:00.
Mark Markez përmirësoi rekordin e pistës “Red Bull Ring”, në garat e sotme për “polin” në “Grand Prix” të Austrisë, konkurrimi i 11-të në botërorin e kategorisë MotoGP. Ai u rendit i pari, por pranoi se gara e tij nuk ishte pa gabime.
Piloti spanjol ishte 0.434 sekonda më i shpejtë se rivalët, ndërkohë që xhiroja e tij prej 1:23.027, ishte mbi një të dhjetën më e mirë se rekordi i mëparshëm i pilotit Andrea Ianone të Dukatit, vendosur më 2016. Ky ishte dhe poli i 59-të i Markezit në MotoGP.
Pas spanjolit, në vend të dytë u rendit piloti francez Fabio Kuartararo i “Yamahas”, ndërkohë që podin simbolik e plotësoi italiani Andrea Doviciozo i skuderisë “Ducati”.
