Finale afrikane, Mane dhe Mahrez në aktin e fundit…
● Finalja e edicionit të 32-të të Kupës së Afrikës, do të luhet sonte në orën 21:00 në Kajro.
Senegali i Mane dhe Algjeria e Mahrez, janë finalistet e Kupes së Kombeve të Afrikes, që pas pak ul siparin në Egjipt. “Sporti iM”, i qëndroi besnik këtij kompeticioni që nga dita e parë duke dhënë detaje, përcjellë emocione, dhe fakte në kohë reale të turneut në kontinentin e “zi”.
Ndërkaq, për mediat angleze, në vigjilje të finales, ka folur Mane. “Të jeni të sigurtë, jam gati për sot,”- ka deklaruar sulmuesi i Liverpulit, Sadio Mane, që mban veshur fanelën e Senegalit.
Nga ana tjetër, Mane ka vlerësuar Algjerinë, duke evidentuar Mahrezin, si një kapiten të denjë të algjerianeve. “E di që Algjeria ka një grup të fortë dhe një superfutbollist si Mahrez”.
Për Senegalin, tentativa e dytë për të mbërritur te trofeu. Në vitin 2002, trajneri aktual Çise, u kthye në protagonist negativ, teksa si futbollist, humbi një penallti dhe së bashku me të, Kupën në finale ndaj Kamerunit.
Algjeria ka luajtur në dy finale, kundër Nigerisë, duke humbur në 1980 dhe duke fituar në 1990.
Sakaq, Mahrez kampion në Premier Ligë me Mançester Sitin dhe Mane kampion Europe me Liverpulin, kanë marrë urimet paraprake nga klubet e tyre.