Senegali i Mane, gjysmëfinalisti i parë…
Kupa e Afrikës, çerekfinalet: Senegal-Benin 1-0 (Gueye 69’)
Senegali është skuadra e parë gjysmëfinaliste e Kupës së Afrikës që po zhvillohet në Egjipt. Mesfushori i Evertonit, Idrissa Gueye, i dha fund ëndërrës së Benin për një kualifikim midis katër më të mirëve të Afrikës.
Në minutën e 69-të, Gueye, i shërbyer në mënyrë perfekte nga Sadio Mane i Liverpulit, me një të djathtë të fuqishme brenda zone, mposhti portierin e Beninit, duke realizuar golin e fitores për Senegalin.
Fitorja e “luanëve” nuk qe e thjeshtë. Futbollistët e Benin, të cilësuar si “ketrat”, jo vetëm bënë rezistencë, por edhe u përpoqën të krijojnë shqetësime. Por skuadra e Cise reagoi.
Sistemi VAR, i aplikuar në çerekfinale, u tregua i pamëshirshëm ndaj Mane. Në të 74-tën dhe 77-tën i anuloi dy gola sulmuesit të “Reds”-ave. Benini e mbylli ndeshjen me një lojtar më pak, pasi në minutën e 83-të Verdon u ndëshkua me karton të kuq.
Në gjysmëfinale, Senegali do të përballet të dielën në Kajro me fituesin e çiftit Madagaskar-Tunizi.