Ismajli dhe Uzuni, “zbulimet” e Kroacisë…

Dy futbollistët shqiptarë, pjesëtarë edhe të Kombëtares sonë, mbrojtësi Ardian Ismajli dhe sulmuesi Myrto Uzuni, janë përzgjedhur në formacionin e zbulimeve të sezonit në Kroaci. “24sata.hr” ka publikuar 11-n e këtyre talenteve, ndërkohë që ka edhe nga një vlerësim për çdo lojtar të përfshirë në këtë “skuadër”.
ISMAJLI (22 vjeç) – “Në Kroaci është prej vitit 2016, por vetëm këtë sezon spikatur”. Në vlerësimin e bërë për mbrojtësin, theksohet potenciali i madh që ai ka dhe fakti që fizikisht është perfekt, ndërkohë që kritikohet për kartonët e verdhë (ka marrë 9), ku duhet të bëjë më tepër kujdes. Në analizën e bërë flitet edhe për interesimin e Atalantës, ndërkohë që pritshmëritë janë të mëdha që të ketë oferta të shumta.
UZUNI (23 vjeç) – “Garanci e dhënë nga Besnik Prenga dhe rreth 350 mijë euro të paguara për kartonin e tij te skuadra e Laçit në Superiore. Një goditje e vërtetë”. Beratasi, në sezonin e tij të parë në Kroaci ka arritur të shënojë 7 gola dhe të japë 8 asiste në 29 ndeshje ku është aktivizuar. Shifra mjaft të mira. Mes të tjerash vihet në dukje kombinimi me Dejan Radonjiç, i cili i krijon mjaft hapësira Uzunit, si sulmues i dytë.
