FSHF respekton Vangjel Milen…
Federata Shqiptare e Futbollit, respekton ish-futbollistin e Shpresës dhe të një serie klubesh të mirënjohura shqiptare Vangjel Mile. Në një ceremoni të zhvilluar, për nder të 60-vjetorit të lindjes së kampiones së mirënjohur të atletikës në mesin e viteve ’70 Marinda Preka, që është njëkohësisht edhe nënë e futbollistit Mile, kanë qenë të pranishëm sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku dhe anëtari i KE-së, Vasil Bici.
Mbrëmjen festive e nderonin me pjesëmarrjen e tyre edhe shumë personalitete të sportit shqiptar, figura të gazetarisë sportive, si dhe mjaft ish-futbollistë të Teutës, një prej skuadrave ku Vangjel Mile ka një pjesë të konsiderueshme të karrierës së tij sportive.
Sekretari i përgjithshëm i FSHF-së i dorëzoi Vangjel Miles, titullin “Mirënjohje” me motivacionin: “Për kontributin e dhënë në futbollin shqiptar, si lojtar. Ka spikatur edhe për vlerat e treguara në radhët e ekipit kombëtar U-21 të Shqipërisë”.
Së bashku me të, ai i dorëzoi edhe simbolin e FSHF-së, bluzën e kombëtares. Me këtë rast, Sekretari Shulku, uroi edhe kampionen e madhe të atletikës Marinda Preka për 60-vjetorin e ditëlindjes, të cilës ndër të tjera i dhuroi dhe flamurin kombëtar. Mbrëmja kaloi në atmosferë festive.