FSHF-ja “transferohet” në UEFA…
● Për herë të parë 8 shqiptarë, anëtarë të KE-së dhe punonjës të FSHF-së, pjesëtarë të komisionet e ndryshme të UEFA-s
Në shkurt të këtij viti, Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, u zgjodh anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, post i cili në mënyrë indirekte, do të rriste “peshën specifike” të futbollit shqiptar në familjen e madhe europiane.
Dhe beneficet kanë nisur të ndiehen menjëherë. Kështu, nga riformatimi i komisioneve të ndryshme të UEFA-s me mandate 4-vjeçar (2019-2023), 8 anëtarë të Komitetit, apo punonjës të Federatës Shqiptare të Futbollit, janë bërë pjesë e tyre.
Në Komisionin “Hat-Trik”, presidenti i FSHF-së Armand Duka, është zgjedhur nënkryetar i këtij komisioni, duke qenë gjithashtu edhe nënkryetar në Komisionin e Stadiumeve dhe të Sigurisë.
Në Komisionin Juridik është zgjedhur avokati Artan Hajdari, ndërsa Arben Dervishaj është zgjedhur në Panelin e Ndërtimit dhe Menaxhimit të Stadiumeve, që të dy këta anëtarë të Komitetit Ekzekutiv në FSHF.
Edvin Libohova, zv.president i FSHF-së, është zgjedhur anëtar në Komitetin e Përgjegjësisë Sociale dhe të “Fair Play”-t, ndërsa sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku është përzgjedhur si anëtar në Komitetin e Futbollit.
Në Komisionin e Medias, anëtar është zgjedhur Gazmend Malo, shef i zyrës së Marketingut në FSHF, ndërsa në panelin e Konventës së Arbitrimit është zgjedhur shefi i sektorit të gjykimit, Sokol Jareci.
Ndërkohë, Aldi Topçiu, shefi i zyrës Juridike të FSHF-së, mban statusin e oficerit të Integritetit, pjesë e grupeve të punës së UEFA-s për ndeshjet e dyshuara për trukime.