Finalja në Baku, revoltohen tifozët anglezë
● Nuk ka fluturime të drejtpërdrejta midis Londrës dhe Azerbajxhanit. UEFA ka vënë shumë pak bileta në dispozicion të skuadrave
Gëzimi dhe entuziazmi i kualifikimit për në finalen e Europa League, ka rënë. Vendin e tyre tani e ka zënë zëmërimi i tifozëve anglezë ndaj UEFA-s, e cila e ka planifikuar finalen e këtij eventi në Baku, kryeqytetin e largët të Azerbajxhanit.
Arsyet janë të shumta. Kështu, pavarësisht se finalja do të luhet në një stadiumi prej 68700 vendesh, UEFA ka rezervuar vetëm nga 6 mijë bileta për tifozeritë e secilës skuadër finaliste. Por ka edhe më shumë: duke lënë jashtë çmimet e biletave, klubet kanë vlerësuar një kosto prej së paku 1000 euro për person për të arritur kryeqytetin e Azerbajxhanit.
Ndërkaq, tifozët londinezë, qoftë ata të Arsenalit, qoftë ata të Çelsit, duhet të udhëtojnë 2500 milje (rreth 4000 km) për të mbërritur në Baku, ndërkohë që midis Londrës dhe Azerbajxhanit nuk ka një linjë direkte fluturimi. Udhëtimi me makina apo trena, do të ishte një aventurë masakruese për cilindo që do ta ndërmerrte atë.
Kësaj indinjate të tifozëve londinezë, trajneri Jurgen Klop i ka hedhur benzinë. “Këta zotërinjtë që marrin këto vendime, duhet të jenë shumë më të ndjeshëm, shumë më të arsyeshëm kur vendosin. Unë nuk do të kisha asnjë ide se si të shkoja deri në Baku”, ka deklaruar gjermani.
Por, të revoltuar janë edhe tifozët e Liverpulit dhe të Totenhemit. Edhe pse stadiumi “Wanda Metropolitano”, ku do të zhvillohet finalja e Champions League, ka një kapacitet prej 68 mijë vendesh, UEFA ka planifikuar t’u japë klubeve respektive, vetëm nga 16 mijë bileta për ndeshjen e madhe të 1 qershorit në Madrid.
Sakaq, mësohet se të dy klubet do të përgatisin një deklaratë të përbashkët, ku do të kërkohet një transparencë më e madhe mbi kostot e fluturimeve, pasi ka tendecë që kompanitë ajrore t’i rrisin çmimet e biletave për në Spanjë, në ditët e finales së madhe të Champions League.