Feronikeli dhe Prishtina, pas tyre Llapi…

Java e 29-të e kampionatit IPKO Superligës së Kosovës nuk solli ndonjë surprizë. Prishtina fitoi 2-1 ndaj Drenicës në stadiumin e saj “Fadil Vokrri”, duke mos iu ndarë Feronikelit kryesues.
Armen Thaçi dhe Mario Morina ishin autorët e golave për skuadrën e Mirel Josës. Miqtë nga Skënderaj ngushtuan diferencën me anë të Mziut.
Të shtunën, Feronikeli kishte fituar në shtëpi 2-0 ndaj Gjilanit, ndërkohë që Llapi mposhti me vështirësi 1-0 skuadrën e Dritës, duke mbetur një pretendet serioz për titull.
Në ndeshjen tjetër, atë për mbijetesë, Ferizaj konfirmoi momentin fantastik që po kalon duke fituar 2-4 në transfertën ndaj Ballkanit. Falë fitores së tretë radhazi, Ferizaj tashmë e sheh veten të shpëtuar dhe jashtë zonës play-out.
Javës e fundit të kampionatit kosovar janë mjaft interesante, sidomos në garën për titullin kampion.
Skuadra e Llapit, e drejtuar nga Tahir Batatina, që ka vetëm 2 pikë më pak se kryesuesit, në javën e 31-të do të luajë në “Fadil Vokrri” ndaj Prishtinës, një javë më pas, do të presë Feronikelin.
Ndërkohë që javën e fundit, atë të 33-të, Feronikeli i Zekirja Ramadanit do të përballet në shtëpi me Prishtinën e Mirel Josës, ku me gjasë fituesi mund të shpallet edhe kampion i Kosovës.