“Të mëdhenjtë” nuk gabojnë…

Në Europë, ndeshja e ditës, ishte cilësuar ajo mes Bayernit dhe Borusias së Dortmundit. Bayerni i gjendur dy pikë prapa, teksa Bundesliga po i afrohet fundit, e kishte detyrim fitoren.
Në “Alianz Arena”, pritshmëritë për të parë duelin gjerman të vitit “dështuan”, pasi kampionët “dojç” shënuan 5 herë në portën “e verdhë”. Levandovski si “ish”, realizoi një dopietë personale, duke e ndihmuar Bayernin, të marrë kreun.
Në Spanjë, Reali ecën mbi “akull”. Pas humbjes javën e kaluar me Valencian edhe sot e pati shumë të vështirë. “Kura” Zidan, kërkon kohë me madrilenët që vetëm në pjesën e dytë ia dolën të thyenin Eibarin. Edhe këtë herë, Benzema tregohet klasik teksa përmbys golin e miqve me dopietën në fraksionin e dytë.
Në “Kamp Nou” katalanasit nuk e falën Atletikon, të cilët kishin shpresa për të rihapur La Ligën. Portieri i madrilenëve Oblak rezistoi mjaft, por Diego Kosta i tradhëtoi shokët duke i lënë me 10 lojtarë në fushë.
Kësisoj, kur gjithçka po shkonte drejt një barazimi pa gola, Suarez dhe më pas Mesi, shkatërrojnë Atletikon, duke e “vrarë” edhe garën për titullin në Spanjë.
