Luftëtari “tris” fitoresh, shtanget Partizani
● Partizani-Luftëtari 1-3 (Duka 4’/Dunga 39’, 44’, 74’)
“Të kuqtë” e Partizanit e nisën mirë takimin ndaj Luftëtarit, por e mbyllën keq. Gjirokastritët treguan se duket ia kanë marrë dorën “demave”. Në harkun e pak ditëve, tri fitore radhazi, ndërmjet të cilave është edhe eliminimi në çerekfinale nga Kupa e Shqipërisë.
Në mbrëmjen e së shtunës në “Selman Stërmasi”, heroi i Luftëtarit ishte sulmuesi shtatlartë Ismael Dunga. Pasi kishte shënuar golin e eliminimit në Gjirokastër, mozambikasi shkëlqeu edhe në Tiranë, duke shënuar jo pak, por tri herë në portën e Hoxhës dhe befasuar Partizanin.
Me këtë fitore të çmuar Luftëtari arriti të shkëputet sërish në 7 pikë nga vendi i fundit që mbahet nga Kastrioti, ndërkohë që ka edhe 4 pikë më shumë se Tirana. Nga ana tjetër, Partizani mbetet sërish 9 pikë larg Kukësit, duke shpërdoruar një rast të mirë për t’iu afruar më tepër titullit.
Ja dhe episodet e golave:
4′ – Ka realizuar Duka, i ndihmuar edhe nga një devijim i Asanit. Gabon gjyqtari, pasi Asani ishte në pozicion jashtë loje. Megjithatë 1-0 për Partizanin!
39′ – Sulmuesi shtatlartë Ismael Dunga, pas një aksioni mjaft të bukur nga e majta, gjuan dhe 1-1.
44’ – Përsëri Ismael Dunga shfaqet përballë Hoxhës dhe qetësi me një harkim e dërgon topin në rrjetë, 2-1 për Luftëtarin!
74′ – Dunga plotëson “trisin” me një supergol, alla-Ibrahimoviç, pas një pasimi të Filit. Goli i tretë për të në këtë takim. 3-1 për Luftëtarin, rezultat që që nuk ndryshoi deri në përfundim të ndeshjes.