Flamurtari mori pikët, Tirana në krizë…
● Flamurtari-Tirana 1-0 (Sukaj 28’)
Tirana në krizë. Klubi më i famshëm në vend, kaloi në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë gjatë mesjavës duke humbur në Laç, por rezultati në dy takime e favorizoi për më tej. Tjetër histori kampionati.
Pas humbjes në Fushë-Krujë me Kastriotin erdhi barazimi në kryeqytet me Laçin, ndërkohë që sot sërish bardheblutë, zhgënjyen në Vlorë.
Skuadra e Memës u thye pa u mbushur gjysmë ore lojë teksa topin e gjuajtur nga Musta e të devijuar nga Abibi, e kthen në gol Sukaj. Ngjau në të 28′. Me kalimin e minutave, Tirana e rrit presionin, duke mbajtur topin e krijuar raste.
Por ato, mundësitë për të shënuar, miqtë i patën me shumicë në fraksionin e dytë. Flagrante penalltia e gabuar nga njeriu i momentit te Tirana, Imami. Mbrojtësi e kërkoi me ngulm autorësinë nga 11-metra larg, ndërsa sfera e goditur prej tij, kaloi jashte kuadratit.
Edhe në vijim Tirana është kërkuese e kërcënuese. Mema luan kartat në gjithë hapësirën, por mbrojtja e Flamurtarit, nuk u thye dot. Nga ana tjetër të besuarit e Dajës, zhvilluan ndeshjen e tyre.
Parësore pikët dhe ato i morën edhe kur Flamurtari bën mirë një pjesë loje. E pranoi trajneri i tyre në konferencën për shtyp, ndërsa tha se Flamurtari përpos peripecive në gjysmën e dytë të ndeshjes, ia doli të marrë atë që kishte në program – 3 pikët.
Me këtë fitore, Flamurtari arrin në pikë Laçin, ndërsa Tirana rikthehet seriozisht tek objektivi për të shpëtuar sezonin. Fitoret e Kastriotit ndaj Kukësit 2-1 dhe ajo e Luftëtarit në “Selman Stërmasi” përballë Partizanit 1-3, e kanë turbulluar fundin.
Tirana jo shumë larg, vetëm dy edicione më parë, e pësoi duke zbritur nga kategoria. Këmbanat e alarmit në derë..