“Krutani” Shehi operohet me sukses…
Mbrojtësi shtatlartë Dajan Shehi, një nga titullarët e padiskutueshëm të skuadrës krutane të Kastriotit, iu nënshtrua sot një ndërhyrjeje kirurgjikale në krah, e cila ka rezultuar e suksesshme.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Shehi, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, në të cilin vetë lojtari tregon për ndërhyrjen e suksesshme, duke mos e fshehur dëshirën për një kthim sa në të shpejtë në radhët e skuadrës së tij të Kastriotit.
Ironitë e fatit janë të shumta dhe nga më të ndryshmet. Edhe Dajani provoi një tillë. Pas një aventure te kroatët e Hajdukut të Splitit, Shehi rikthehet në shtepi te Teuta e Durrësit. Duke mos gjetur hapësirat e nevojshme për t’u aktivizuar në radhët e “djemve të detit”, mbrojtësi shtatlartë huazohet pranë ekipit të Kastriotit, ku pozicionohet si titullar i padiskutueshëm.
Për fatin e tij të keq, pikërisht në Durrës, në stadiumin “Niko Dovana”, në takimin Teuta – Kastrioti (1-0) për javën e 26-të të kampionatit, Dajan Shehi aksidentohet në krah, dëmtim i cili i kushtoi edhe këtë ndërhyrje kirurgjikale që ka rezultuar e suksesshme.