“Futbolli është për lojtarët, jo për gjyqtarët”
Ish-presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, në një intervistë për “Corriere della Sera”, ka treguar për luftën ligjore që ka ndërmarrë për të pastruar imazhin, pas përjashtimin të tij nga familja e futbollit europian, duke këmbëngulur se largimi i tij ishte një komplot politik.
Ndërmjet të tjera, ish-presidenti Platini është shprehur edhe kundër futjes së teknologjisë në fushën e futbollit, duke argumentuar se VAR-i i ka nxjerrë jashtë funksionit gjyqtarët dhe po e prish bukurinë e futbollit.
“Unë gjithmonë kam qenë kundër, VAR mund të ndihmojë, por pastaj ka interpretim: njeriu gjithmonë vendos. Dizenjatorët e kanë kthyer gjyqtarin në një kukëll në fushë.
Po, është e papranueshme të humbasësh një lojë për shkak të gabimit të gjyqtarit, por është njerëzore. Tani edhe pse ka teknologji gabimet vazhdojnë.
Nuk është e mundur që të përcaktohet se një prekje e topit me dorë është e vullnetshme, apo jo. Për pozicionin jashtë loje, VAR është i dobishëm.
Le të luajnë njerëzit midis tyre. Futbollit është shpikur për lojtarët, jo për gjyqtarët që vendosin rregullat e tyre. Kjo është ajo që më bën të zemërohem. Gjyqtari nuk është arkitekti i futbollit, por lojtarët”.