“Digjet” Athina, dhuna ndërpret derbin helen…

Këtë fundjavë Athina “u përpi” nga flakët… Derbi i futbollit helen, takimi Panathinaikos – Olimpiakos për javën e 25-të të kampionatit helen, si zakonisht nuk shpëtoi nga dhuna, konfrontimet midis dy tifozerive.

U deshën ndërhyrjet e herëpashershme të forcave të policisë, të cilët u detyruan të përdorin edhe bomba lotsjellëse, për siguruar qetësinë dhe shpërndarë palët ndërluftuese të tifozerive.

Përplasjet nisën qysh në minutën e 5-të të derbit, pasi disa tifozë të Panathinaikosit kaluan rrethimin dhe hynë në fushë. Loja u ndërpre për 8 minuta dhe u desh ndërhyrja e policisë që situata të normalizohej përkohësisht.  

Në minutën e 53-të të ndeshjes, Panathinaikosi, ku luante titullar edhe mesfushori kuqezi, Ergys Kaçe, u ndëshkua me gol, çka irritoi edhe më shumë tifozët vendas, që vërshuan sërish në fushë, duke rrezikuar jetën e futbollistëve të Olimpiakosit.

Sërish ndërhynë forcat e policisë për të qetësuar situatën. Veç ishte e kotë. Dhuna vazhdonte në shkallët e stadiumit. Në minutën e 70-të, gjyqtari i takimit e ndërpreu përfundimisht ndeshjen, duke i çuar skuadrat në dhomat e zhveshjes për t’i shpëtuar futbollistët nga dhuna e tifozëve që “pushtuan” fushën.

Klubi i Panathinaikosit, për mospërmbushjen e detyrimeve për organizimin e ndeshjes rrezikon (përveçse humbjen e ndeshjes në tavolinë) t’i hiqen pikë nga klasifikimi i përgjithshëm si dhe një gjobë të majme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!