Gabon Atletiko Madrid. Bilbao asist Barçës
“Fantazma” e Juves duket ende është vegim i frikshëm në kampin madrilen të Atletikos. Skuadra e Çole Simeones e ka nisur me hap të gabuar javën e 28-të të La Ligas.
Pas 4 fitoreve radhazi, Atletiko Madrid është mundur 2-0 në transfertë nga Atletik Bilbao. Edhe pse në radhët e madrilenëve ishin Morata, Grizman dhe Diego Kosta, qysh në nisje të takimit, ata nuk arritën të shmangnin humbjen.
Inaki Uilliams (73’) dhe Kenan Kodro (85’), ishin “heronjtë” e Bilbaos, që në një mënyrë të tërthortë, i dha një asist Barcelonës në garën për titull në La Liga.
Pas këtij rezultati, Atletiko Madrid mbetet në vendin e dytë me 56 pikë, 7 më pak katalanasit e Barcelonës, që sot do të luajnë në Sevilje për t’u përballur me Betisin e vështirë.