Zidan e nis me fitore, Isko bën “namin”…
Zinedin Zidan kthen buzëqeshjen te Real Madrid. Jo vetëm se në rikthim, arriti të fitojë 2-0 ndaj Selta Vigos, por dhe për faktin, se francezi duket sikur ka ribërë nga e para formacionin e “galaktikëve”. Largimi i Solarit, përpos hijes së errët në shifra, çka i kushtoi shumë madrilenëve, la pas dhe disa mosmarreveshje mes futbollistëve, ndërsa më sipërfaqësoret ishin ato të Iskos, Marselos, Bejlit, apo Asensios.
Ndryshe nga argjentinasi, për Zidan, vlejnë të gjithë. Madje jo vetëm të “çarturit”, por dhe Kejlor Navas, i cili e ka duelin personal, me Kurtuan në portë.
Ndaj Seltës, në daljen e parë si trajner gjatë këtij sezoni, ish-numri dhjetë i Realit, ia doli të unifikojë dhe të vendosë rendin. Së paku në shifra, teksa fitoi në krye të Realit 2-0. E çuditshme, por e vërtetë. Isko, nën vështrimin e zakonshëm të mbështetësve të shumtë të “Santiago Bernabeut”, shënoi golin e pare, ndërkohë që dhe uellsiani Bejl, gjeti rrjetën e “vigasëve”.
Kësisoji, Zidan nisi t’i japë shkëlqim Real Madridit që në angazhimin e parë, ndërsa si askush tjetër, vetëm pak kohë më parë fitoi radhazi tri Champions League. Për 46-vjeçarin, puna e re, duket se do të jetë dhe test prove për vetë presidentin Florento Perez. Kreu i skuadres mbretërore, për zgjedhjet e bëra, merkaton dhe marredhëniet skuadër-trajner, së fundi, ka qenë shënjestra e tifozerisë.
Ndeshja e sotme me Zidan në krye, duket se i largon përkohësisht “shamitë e bardha”…