Formula 1 në “pit-line”…

● Të dielën, në Melburn të Australisë, starton botërori i Formula 1

Pas startit të Moto GP, edhe botërori i Formula 1 është në prag të startit të tij. Provat për kolaudimin e makinave gjatë kësaj periudhe të ndërmjetme “pushimesh” kanë përfunduar.

Madje, të gjitha skuderitë pjesëmarrëse të këtij botërori, kanë fluturuar dhe tashmë janë akomoduar në kontinentin e largët.

Si zakonisht, botërori i Formula 1 do të startojë edhe këtë sezon në pistën e Melburnit, ku do të jepet edhe Çmimi i Madh i Australisë. Gjithçka duket gati, skuderitë, makinat dhe pilotët presin të premten, kur do të nisin edhe provat në pistë.

Por Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA), në përpjekjet e saj për t’i bërë sa më tërheqëse dhe atraktive garat e Formula 1, këtë edicion ka bërë një ndryshim në sistemin e pikëzimit.

Kësisoj, duke nisur që nga gara e Melburnit, ai pilot që do të shënojë xhiron më të shpejtë, do të përfitojë edhe 1 pikë më tepër, por me kusht që ai të jetë i renditur midis “top-10” pilotëve të parë në përfundim të garës.

Gjithashtu, kjo pikë e fituar nga xhiroja më e shpejtë, përveç pilotit në renditjen individuale, do t’i kalojë edhe skuderisë si skuadër, ku bën pjesë piloti. Pra përfitimi nuk do të jetë vetëm individual, por edhe në klasifikimin e konstruktorëve.

Kjo është risia e botërorit të Formula 1 për këtë sezon, i cili të dielën starton me Çmimin e Madh të Australisë, me garat që do të zhvillohen në pistën e Melburnit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!