Një Gentian ikën, një tjetër vjen…

Në Shijak duket janë të dashuruar pas “Gentianëve”. Të hënën u largua nga pankina e Erzenit trajneri elbasanas Gentian Stojku. Të martën, në krye të stolit të skuadrës shijakase u prezantua një Gentian tjetër, durrsaku Begeja.

Pas humbjes 1-0 të Erzenit në ndeshjen e javës së 17-të të kampionatit të kategorisë së pare, e dyta radhazi për skuadrën shijakase, trajneri elbasanas Gentian Stojku, dha dorëheqjen. U rrit në përgjegjësi, pranoi stolin e Kamzës, post të cilin e kishte braktisur po të dielën, tekniku kryeqytetas Ernest Gjoka.

Por edhe administratori i skuadrës shijakase, Astrit Hoxha, nuk humbi kohë për të mbushur boshllëkun. Pranë qytetit të tij, në Durrës, ai gjeti të lirë teknikun Gentian Begeja, i cili pranoi t’i drejtojë shijakasit deri në përfundim të kampionatit.

Në fillim të këtij sezoni, trajneri durrsak Gentian Begeja kishte drejtuar ekipin kavajas të Besës, për t’u zëvendësuar nga peqinasi Gugash Magani.

Më herët, trajneri Gentian Begeja është konsideruar edhe si një “komardare” shpëtimi për ekipin e Teutës, të cilin e ka drejtuar sa herë që ka qenë në situatë krizash.

Aktualisht, Erzeni me 31 pikët e grumbulluara, renditet i 2-ti në grupin A të kampionatit të kategorisë së parë, ndërkohë që grupin e udhëheq Vllaznia me 10 pikë më shumë.

Në ndeshjen e javës së 18-të, që është edhe e fundit për fazën e dytë të këtij kampionati, Erzeni do të presë në shtëpi ekipin e Vorës, që me gjasa do t’i jape lamtumirën kësaj kategorie.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!