Ndeshja e fundit me të kuqtë, Rrapaj: Do më mungojë Partizani
Shënoi një supergol dhe dha një asisit për Carën, Arinaldo Rrapaj tregon shumëçka pas fitores 2-0 ndaj Vllaznisë për raundin e 19-të Abissnet Superiore
Rrapaj:
“Ishte ndeshje e mirë e imja, nuk them se ishte perfekte, por dhashë një asist e shënova një gol. Jam i kënaqur që fituam këtë ndeshje, mund të shkojmë në pushime të qetë. Jam i kënaqur me ekipin që dhanë të gjithë energjitë që kishim, luftuan, fituan çdo dyluftim dhe ia dolëm të fitonim ndeshjen.Ky është viti i katërt që jam te Partizani.
Kam ardhur çun i vogël dhe mendoj se jam rritur e bërë burrë. Mendoj se më ka dhënë më shumë Partizani se sa i kam dhënë unë. Ky është ekipi më i madh me tradita, mendoj se kemi ndihmuar njëri-tjetrin. Unë në fushë, jam munduar ta ndihmoj në ndeshje, stërvitje, me seriozitet në çdo gjë.
Është ekipi që më ka bërë të jap këto performanca dhe më ka ndihmuar më shumë ekipi me paraqitjet e tyre, çunat me cilësitë e tyre që kanë vënë në dukje të miat. Çdo meritë i shkon ekipit dhe trajnerit dhe kjo është arsyeja pse po bëj mirë me Partizanin. Kjo ndeshje kishte një frymëzim më shumë se duhet të jepja maksimumin që të bëja atë mbylljen, shpresoj ta kem bërë perfekte, ashtu siç duhet.
Mendoj se nuk është një lamtumirë, mendoj se do të shihemi përsëri. Normalisht do të ndahem mirë me të gjithë, ekipin e tifozët, e do jetë shumë shpejt ajo mirupafshim. Por do të shihemi prapë, kjo është e sigurt.
I vetmi klub në Shqipëri do jetë Partizani?
Rrapaj: Po, po. Këtu ndjehem si në shtëpinë time ndaj është e sigurt.Mendoj se jemi lojtarë kalimtarë në këtë ekip, nuk ka të pazëvendësueshëm.
Ikën një lojtar i mirë, ndoshta vjen një tjetër që mund të bëjë akoma më shumë se ai që ka qenë më parë. Mendoj se askush në Shqipëri nuk është i pazëvendësueshëm dhe kam besim që presidenca do sjellë lojtarë me cilësi për të mbuluar pozicionin tim. Cara do më mungojë, normale, se e patë sa kimi kemi në fushë. Por janë gjëra që ndodhin në futboll, nuk kemi çfarë bëjmë.
Do më mungojnë emocionet e fitores, kur shënojmë apo jap asiste, tifozët, çunat e ekipit. Do më mungojë çdo gjë.”
