Steffi Jones mbyll vizitën në Shqipëri, momente të veçanta me fëmijët

Ambasadorja e futbollit gjerman Steffi Jones përmbylli me sukses vizitën e saj dyditore në Shqipëri, teksa sot kaloi një moment të veçantë me fëmijët e fshatit SOS në Tiranë. Në një vizitë zyrtare të shoqëruar nga anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha dhe Ambasadori Gjerman në Shqipëri, Karl Bergner, ish-ylli i futbollit gjerman të vajzave u mirëprit nga Drejtoresha e Fshatit SOS, Mimoza Manaj dhe nga përfaqësues të tjerë të qendrës.

Ambasadorja e futbollit gjerman fillimisht vizitoi ambientet e brendshme të fshatit SOS dhe takoi nga afër pjesëtarët e një familje, ku bashkëbisedoi me të gjithë fëmijët dhe kaloi një moment të veçantë. Më pas, Steffi Jones dhe fëmijët u zhvendosën në fushë, ku të gjithë së bashku zhvilluan një ndeshje futbolli.

Në fund, ambasadorja e Gjermanisë për finalet e “Euro 2024”, Steffi Jones, në emër të FSHF-së u dhuroi fëmijëve nga një çantë me dhurata, teksa i falënderoi të gjithë përfaqësuesit e fshatit SOS për mikëpritjen e në veçanti Federatën Shqiptare të Futbollit, duke i uruar sa më shumë suksese në finalet e Europianit “Gjermani 2024”.

Anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha, i përcolli Steffit Jones falënderimet e përzemërta të FSHF-së dhe Presidentit Armand Duka dhe theksoi se Shqipëria do të bëjë më të mirën në finalet e Europianit “Gjermani 2024”.

Në vizitën e saj zyrtare, Sttefi Jones vizitoi edhe ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” ku u njoh me historinë e futbollit shqiptar, zhvilloi një diskutim të hapur me drejtues të FSHF-së, trajnerë dhe futbolliste, si edhe ndoqi një seancë stërvitore të ekipeve përfaqësuese rajonale të vajzave në “Shtëpinë e Futbollit”, ku bisedoi nga afër me futbollistet dhe trajneret vajza./FSHF/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!