‘Madonina’ me titullin në mes… festa? Tifozët kanë paktin e paqes
Sonte në “San Siro” luhet derbi i madh i Milanos, ose thënë ndryshe ‘Madonnina’ efamëshme mes Milanit dhe Interit. Një duel i cili ka rrëmbyer vemendje maksimale në Itali por dhe në gjithë botën, pasi nëse zikaltërit fitojnë, matematikisht do të bëhen kampionë të edicionit 2023/2024.
Të dyja skuadrat aktualisht janë të ndarë me 14 pikë në tabelë, teksa në ‘lojë’ janë dhe gjashtë ndeshje deri në fund.
Me Interin fitues në këtë derbi, një festë e madhe pritet të pasojë deri në orët e vona të natës, kryesisht në sheshin më të famshëm të Milanos, ‘Piazza del Duomo’, si dhe në pjesë të tjera të qytetit.
Sigurisht, të gjithë pyesin nëse do të ketë trazira, duke qenë se tifozët e Interit do ta festonin titullin menjëherë pas fitores ndaj rivalit më të madh të tyre.
Por mediat vendase shkruajnë se një gjë e tillë është e pamundur. La Gazzetta dello Sport, publikoi një material duke kujtuar ngjarjen e vitit 1981.
Atë vit u zhvillua turneu “Mundialito” ku morën pjesë Milani, Interi, Penjarol, Santos dhe Fejnord.
Trazira të mëdha dhe gjatë konfliktit mes tifozëve një i ri 21 vjeçar humbi jetën (pas tre muajve nga incidenti).
Drejtuesit e atëhershëm të ultrasve të tifozëve të Milanit dhe Interit shtrënguan duart pranë ‘San Siro’-s me atë që u konsiderua “pakti i paqes”. Kjo marrëveshje është një nga marrëveshjet më të vjetra të tifozëve në Itali, e cila vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Ndërkohë mes tifozëve në vijim janë regjistruar vetëm konflikte të vogla dhe provokime verbale të pashmangshme, por nuk ka pasur përplasje të mëdha tifozësh në qytetin e veriut të Italisë.
Kjo supersfidë nis në orën 20:45 dhe do të gjykohet nga Kolombo. Për të shtuar, para derbit luhet edhe një duel i fortë ai ndërmjet Romës dhe Bolonjës (18:30)./Sportiim.al/